Nuk janë të vërteta pohimet se Bashkimi Evropian nuk dëshiron që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së, deklaroi sot ambasadori evropian Dejvid Gir në ngjarjen, me të cilën filluan Ditët e NATO-s në vend, me rastin e shënimit të katër vjetorit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Aleancë dhe 75 vjetorit të themelimit të saj.
“Është e zakonshme të dëgjohen zëra sirenash që thonë se ky vend nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ose sepse Unioni nuk e dëshiron brenda ose sepse nuk është në gjendje të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Asnjë nga këto pretendime nuk është i vërtetë. Ne duam që Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Rruga është praktike dhe shumë lehtë e arritshme”, nënvizoi Gir.
Në këtë pikëpamje, shtoi ambasadori evropian, ndaj mendimin se rruga e Bashkimit Evropian është rrugë e prosperitetit, e forcimit të vlerave demokratike dhe shtetit të së drejtës dhe është rrugë e stabilitetit. Por gjithashtu, tha ai, është gjithashtu një rrugë e sigurisë dhe ne vërtet besojmë se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian do të jetë i dobishëm për të gjithë ne”, tha Gir.
Dhe për këto arsye, theksoi euroambasadori, e inkurajojmë Maqedoninë e Veriut që të lëvizë sa më shpejt drejt Bashkimit Evropian.
“Ne duam që ky vend të jetë pjesë e Bashkimit Evropian bazuar në përmbushjen e detyrimeve që ka marrë në korrik të vitit 2022, e cila u pasua nga konferenca ndërqeveritare dhe procesi i skriningut, si dhe zbatimi i reformave që u përcaktuan gjatë procesit të skriningut, përfshirë ato që janë të listuara në planin e ri për rritje dhe reforma të Bashkimit Evropian”, tha ambasadori evropian Gir.
Në manifestimin tradicional të NATO-s folën shefi i diplomacisë Bujar Osmani dhe zëvendëskryeministri i parë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik në vend, të cilët e uruan vendin për katërvjetorin e anëtarësimit në NATO, kontributin e tij në sigurinë kolektive dhe dhanë pikëpamjet e tyre për sfidat aktuale globale.