Gerapetritis: S’ka hapësirë për lëshime rreth “Prespës”

RAPORTET SHKUP – ATHINË

Nuk ka hapësirë për lëshime rreth Marrëveshjes së Prespës – ka deklaruar Ministri I Jashtëm grek, Jorgos Gerapetritis pas deklaratës së Mickoskit se ka të drejtë ta quajë vendin sipas dëshirës së tij dhe se preferon të përdoret vetëm emri “Maqedonia”

“Greqia do ta ndjek situatën në RMV. Nga Qeveria dhe Presidentja e RMV-së kërkojmë që me besnikëri ta zbatojnë Marrëveshjen e Prespës. Jemi të lumtur për të vazhduar bisedimet, por nuk mund të tolerohen lëshime” – tha Jorgos Gerapetritis, ministër i Jashtëm.

I pyetur nëse vlerëson se pas zgjedhjeve evropiane ekzistojnë mundësitë që RMV-ja të nis negociatat për aderim në BE, shefi I diplomacisë greke shprehet se në parim janë “pro” zgjerimit.

Por, një nga kushtet për RMV-në është respektimi i plotë I Marrëveshjes së Prespës.

“Vullneti I qeverisë greke është të vazhdojë ta zbatojë Marrëveshjen. Por, duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin se nuk mund të ketë lëshime kur bëhet fjalë për zbatimin faktik të marrëveshjeve ndërkombëtare, që sipas definicionit, sipas Kushtetutës, kanë përparësi para ligjeve të rëndomta” – tha Jorgos Gerapetritis, ministër i Jashtëm.

Lideri I VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, gjatë së enjtes fjalimin e Siljanovskës në ceremoninë e betimit e vlerësoi dinjitoze edhe pse ajo nuk e përmendi emrin kushtetues të vendit.

Mickoski bëri thirrje për raporte miqësore me Greqinë dhe që të mos ketë kërcënime, obstruksione dhe kthim në të kaluarën, por dy vendet të shikojnë drejt së ardhmes.

Mes tjerash ai potencoi se nëse Greqia vlerëson se vendi ka shkelë Marrëveshjen e Prespës, ekziston Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. / tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share