DEBAT I ASHPËR PËR MAQEDONINË E VERIUT NË PARLAMENTIN NË SOFJE
Ministrja në dorëheqje e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Teodora Gençovska, sot para Parlamentit në Sofje ka shpalosur një sërë të dhëna për atë si janë zhvilluar negociatat diplomatike me Maqedoninë e Veriut, por edhe për atë si është vepruar në raport me “çështjen maqedonase” në vetë qeverinë e Kryeministrit Kiril Petkov. Pas largimit të njërës nga partitë e koalicionit, “Ka një popull të tillë”, anëtare e së cilës ishte edhe Gençovska, çështja e Maqedonisë së Veriut është bërë kyçe për faktin nëse Qeveria e Petkovit do të arrijë të sigurojë shumicë parlamentare ose vendi sërish do të shkojë në zgjedhje.
Në fjalimet para deputetëve në Kuvendin popullor, në seancë për të cilën pati kërkesa që të zhvillohet me dyer të mbyllura, Teodora Gençovska i argumentoi pohimet e saj paraprake se Kryeministri Kiril Petkov udhëheq politikë të jashtme të dyfishtë për çështjen e Maqedonisë së Veriut dhe se në bisedime të fshehta me partnerët evropianë pretendon se Petkovi ka dhënë premtime për heqjen e vetos për vendin.
“Më 5 prill të këtij viti, këshilltari për politikë të jashtme i Kryeministrit dërgoi projektin e tij për aktualizimin e pozicionit kornizë, në përmbajtje thuhet që sa më shpejt të bëhet rishikimi i pozicionit kombëtar bullgar. Në këtë pozicion të ri kornizë, projekt, nuk figuron pozicioni bullgar në raport me gjuhën e ashtuquajtur maqedonase. Kërkesa e garancive evropiane në raport me Marrëveshjen e vitit 2017 bëhet e paqëndrueshme. Në praktikë ky projekt i kombinon idetë e pjesshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme për implementimin e Marrëveshjes dypalëshe, por pa mekanizma të qarta për zbatimin e saj. Plotësisht e gabuar, e kemi hedhur poshtë si mundësi,” deklaroi Ministrja e Punëve të JAshtme të Bullgarisë Teodora Gençovska.
Shumë deputetë e kanë akuzuar qeverinë për tradhëti të interesave kombëtare, si në kohën e Presidentit Georgi Dimitrov, kur Bullgaria e pranoi pavarësinë e kombit dhe të gjuhës maqedonase.
“Maqedonia është Bullgari, Mizia është Bullgari, Thrakia është Bullagri, Dobruxha është Bullgari. Kur flasim për Maqedoninë flasim për miliona bullgarë. Flas për interes kombëtar bullgar dhe këtu nuk duhet të hyjmë në situatë në të cilën ka hyrë ky Kuvend Popullor në vitin 1946 kur nga kjo foltore Georgi Dimitrov e ka lexuar deklaratën me të cilën pranohet gjuha maqedonase, pranohet kombi maqedonas dhe ka kryer një nga tradhëtitë më të madha kombëtare,” deklaroi deputet bullgar Kostadinov.
Gençovska theksoi se në takimin e parë me Ministrin e Punëve të Jashtmë të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i ka thënë që në lidhje me kontestin dypalësh ai të kontaktojë VETËM ME TË, por shtoi se autoritetet e Maqedonisë së Veriut me qëllim që “ta dobësojnë pozicionin e Bullgarisë dhe t’i përçajnë institucionet e saj”, këtë nuk e kanë bërë./KlanMacedonia/