“Defekt i rëndë, kemi kërkuar ndihmën e gjermanes ‘Siemens’”
Pavarësisht se u tha se do të rihapej këtë fundjavë, gazsjellësi Nordstream 1 që furnizon Gjermaninë me gaz rus, linja më e rëndësishme e furnizimit edhe për gjithë Europën do të qëndrojë e mbyllur për një afat të pacaktuar.
Vendet europiane akuzojnë Moskën se e ka mbyllur qëllimisht duke e përdorur atë si armë për të thelluar krizën energjetike të kontinentit që pritet të arrijë kulmin gjatë dimrit.
Firma ruse Gazprom njoftoi shtyrjen e rikthimit në funksionim pasi nuk kishte mundur ta riparonte defektin që u krijua që para dy muajsh, e që ka bërë që tubacioni të funksiononte me jo më shumë se 20% të kapacitetit.
Për të qenë më bindës në pretendime, gjiganti i gazit rus tha se ka kërkuar ndihmën e gjermanes Siemens, por kjo firmë thotë se deri më tani nuk i ka ardhur asnjë kërkesë, duke shtuar dyshimet se difekti nuk është problemi i vërtetë i mbylljes së rubinetit të gazit.
Mbyllja vjen në një kohë kur rezervat europiane të gazit janë në prag të 85%-shit në nivelin e mbushjes, që garanton rezerva të mjaftueshme për këtë dimër. Problemet në furnizimin me gaz nga Rusia, që pas nisjes së sulmit në Ukrainë, e kanë rritur me 400% çmimin e kësaj lënde që prej fillimit të vitit.
Tv Klan