Gaza bombardohet intensivisht

Trupat izraelite kanë rrethuar pjesën veriore të Gazës, ndërsa bombardimet intensive vazhdojnë. Rreth 450 objektiva të Hamasit u goditën nga Izraeli në 24 orët e fundit. Në të gjithë Rripin e Gazës sulmet ajrore gjatë natës janë ndjerë më me intensivet që nga fillimi i luftës duke vrarë mbi 200 persona. Interneti dhe telekomunikacioni i cili ishte ndërprerë për shkak të luftimeve po rikthehet gradualisht në Gaza. Kjo është hera e tretë që ndërprerja ndodh që nga fillimi i luftës.

OKB dhe organizata të tjera humanitare kanë lëshuar  një deklaratë ku bëjnë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar. Të paktën 10,000 njerëz në Gaza janë vrarë në sulmet izraelite që nga 7 tetori. Rreth 1.5 milionë palestinezë, ose rreth 70% e popullsisë, janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i luftës.

Ushqimi, ilaçet, karburantet dhe uji po mbarojnë dhe shkollat ​​e kthyera në strehimore janë mbushur përtej kapacitetit, ndërsa shumë njerëz të tjerë flenë në rrugë. Spitali al-Shifa, më i madhi në Gaza është disa orë larg mbylljes nëse nuk lejohet karburant në Rripin e Gazës duke e vënë jetën e rreth 40,000 personave të plagosur dhe foshnjave në inkubatorë në rrezik. Banorët thonë se shpresat për një jetë më të mirë tanimë janë shuar dhe jetojnë me frikën se Izraeli mund të përdorë edhe bomba bërthamore.

“Ata po kërcënojnë sërish. Na shkatërruan tashmë, bombardimet tanimë janë të frikshme, mund të hedhin edhe bomba. Siç mund ta shihni, lagje të tëra janë shkatërruar, nuk na lanë asgjë. Goditjet çdo ditë janë kaq të forta dhe në çdo goditje ka 30 apo 40 të vrarë. Ata tashmë po vrasin ne të gjithëve, asgjë nuk ka mbetur”.

Refugjatët të cilët tanimë jetojnë në kampe shprehen se temperaturat në rënie, uji i ndotur dhe mungesa e furnizimit mjekësor po e thellojnë krizën ndërsa frika rritet për përhapjen e sëmundjeve infektive.

“Janë 70 persona mos më shumë jetojnë  në këtë kamp. Fëmijët janë të sëmurë të moshuarit po ashtu. Frika rritet për sëmundjet infektive si pasojë e mbipopullimit. Duhet të presim me orë të tëra në radhë për të përdorur tualetin. Po ashtu qëndrojmë me ditë të tëra pa ngrënë pasi furnizimet janë të pakta. Ka ardhur dimri dhe moti po ftohet”.

Një aeroplan mallrash ushtarak jordanez hodhi ndihma mjekësore në një spital në veri të Gazës, hedhja e parë e tillë ajrore që nga fillimi i luftës, duke rritur mundësinë e një rruge tjetër për dërgimin e ndihmave përveç kalimit të Egjiptit Rafah me Gazën, i cili është mbyllur për shkak të bombardimeve.

Situata mbetet sërish e rëndë edhe në Bregun Perëndimor për shkak të bastisjeve nga ushtria izraelite. 70 palestinezë janë arrestuar së fundmi duke e çuar bilancin në 2000 duke përfshirë 49 gra dhe 17 gazetarë, ndërsa qindra të tjerë kanë humbur jetën dhe janë plagosur në luftime.

Sekretari i Shtetit i SHBA Antony Blinken u takua me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan në Ankara për bisedime mbi konfliktin në vazhdim në Gaza. Vizita vjen një ditë pasi presidenti Erdogan tha se Turqia duhet të ndërhyjë për të ndalur mizoritë izraelite ndaj palestinezëve.

Blinken mbërriti në Turqi pas një vizite të paparalajmëruar në Bregun Perëndimor për t’u takuar me Presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas, i cili iu bashkua thirrjeve ndërkombëtare për një armëpushim të menjëhershëm. Por sekretari Blinken thotë se nga një armëpushim do të përfitojë Hamasi, i cili mund të rigrupohet dhe të sulmojë përsëri dhe në vend të kësaj, SHBA-ja kërkon një armëpushim humanitar.

Ndërkaq vëmendje ka tërhequr edhe momenti kur kryeministri i autoritetit palestinez Mahmud Shtajeh përlotet në një mbledhje të qeverisë kur flet për fëmijët palestinezë të vrarë nga konflikti në Gaza.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share