Ata ankohen se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga qeveria
Gati 1 vit pas tërmetit vdekjeprurës që goditi Sirinë, Amer Mohammed Haleel dhe familja e tij ende jetojnë në një tendë kampi të improvizuar në qytetin Jandaris pasi lëkundjet e forta i shkatërruan shtëpinë e tyre.
Tërmeti rrafshoi qytete dhe zona të tëra në Siri. Ashtu si miliona sirianë edhe Halel mbeti i pastrehë. Ai thotë se atë dhe familjen e tij nuk e ka ndihmuar askush pas tërmetit të 6 shkurtit.
“Ne kemi jetuar në atë shtëpi, kur u prekëm nga tërmeti. Djali im i parë dëmtoi shtyllën kurrizore, dhe i dyti theu këmbën, dhe kjo është makina ime, ajo u shkatërrua. Askush nuk më ndihmoi me ndonjë gjë dhe as fëmijët e mi për të cilët më duhet të kujdesem.”
Në të njëjtën situatë ndodhen edhe shumë sirianë të tjerë të cilët thonë se nuk kanë marrë asnjë ndihmë.
“Nuk kemi marrë asgjë. Po rrimë brenda çadrave, çfarë të bëjmë, askush nuk erdhi për të na ndihmuar. Ata vijnë vetëm për ta parë, pa u ndalur e pa bërë asgjë. E shikojnë dhe ikin.”
Përpara tërmetit të madh të vitit të kaluar gati dy milionë sirianë ishin zhvendosur për shkak të situatës së sigurisë në vend.
Klan News