Gara e Bahrein ishte një zhgënjim i madh për Ferrari, që synonte të paktën podiumin, por u mjaftua me një vend të katërt me Carlos Sainz. Ndërsa Charles Leclerc u detyrua të tërhiqej në mesin e garës për shkak të një problem në motor. “Nuk ishte një garë e lehtë dhe kemi marrë një përgjigje të parë të asaj që presim nga ky sezon”, tha Frederic Vasseur, shefi i “kokëkuqes”.
“Në provat zyrtare jemi konkurrentë, jemi të shpejtë, por në garë kemi probleme. Nuk arritëm të marrim vendin e tretë me Charles, që ishte një objektiv i arritshëm. Një problem besueshmërie në motor që nuk e prisnim dhe degradimi i madh i gomave janë dy problemet kryesore që marrim me vete nga kjo garë”, tha më tej Vasseur.
“Këto janë dy çështjet që duhet të zgjidhim sa më shpejt dhe ku duhet të përmirësohemi në javët në vijim. Nuk e prisnim që të kishim probleme me besueshmërinë e motorit dhe duhet të kuptojmë se çfarë ndodhi. Ajo që ndodhi në këtë garë ishte një goditje e rëndë për ne, një “shock”. Edhe konsumimi i gomave është më i madh se i Red Bull, ndaj duhet punë e madhe”, u shpreh shefi i Ferrari.