Futboll: Merr fund aventura 5-vjeçare me Bayernin, futbollisti i njohur largohet nga klubi gjerman

Corentin Tolisso do të largohet si lojtar i lirë nga Bayern Munchen. Mesfushori francez mbylli sezonin e pestë në Bavari, akordi i rinovimit nuk u arrit dhe ai ka vendosur në lidhje me skuadrën e re.

27-vjeçari me origjinë nga Togo ka zgjedhur të rikthehet te Lyoni, klubi ku u bë i njohur dhe nga ku u transferua te Bayerni për 41.5 milionë euro në verën e vitit 2017.

RMC Sport shkruan se Tolisso do të kryejë sot kontrollet mjekësore për të firmosur më pas kontratën e re me klubin francez. Gjatë aventurës në Gjermani ai fitoi 14 trofe, ku bien në sy pesë titujt radhazi dhe Champions League (2020).

Tolisso veshi 118 herë fanellën e Bayernit, duke shënuar 25 gola dhe dhuruar 15 asiste. Dëmtimet e shumta e penguan të shprehte gjithë potencialin e tij te rekordmenët e futbollit gjerman.

Tani është gati të riniset nga Lyoni, klubi nga doli si futbollist. Përveç tij, drejtuesit francezë kanë rikthyer si lojtar të lirë Alexandre Lacazette, të cilin e shitën 51 milionë euro tek Arsenali në të njëjtën verë si Tolisso (2017).

Ky i fundit fitoi edhe Kupën e Botës me Francën në Rusi 2018, ndërkohë që ka shënuar 2 gola në 28 ndeshje me kombëtaren e “gjelave”. Tani do të bashkohen përsëri te Lyoni për të tentuar rrëzimin e PSG-së nga froni.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share