Laporta zbulon takimin me të në Paris
Joan Laporta, presidenti i Barçës, ka dhënë një intervistë të gjerë për ‘Barça TV’ në prag të “El Clasico” kundër Real Madridit. Një nga temat për të cilat është pyetur ishte rikthimi i mundshëm i Leo Messit në klubin katalanas verën e ardhshme.
Laporta pranoi se “me siguri do të bëjmë diçka për të njohur se kush ka qenë lojtari më i mirë në historinë e Barçës”, por ai nuk donte të ekspozohej për shanset që Messi ta veshë sërish fanellën blaugrana sezonin e ardhshëm:
“Ne katalanasit e kemi gjithmonë në kujtimet tona. Këtë të diel do të jetë 18-vjetori i debutimit të tij me Barçën, planifikojmë të bëjmë disa gjëra privatisht. E dimë të gjithë karrierën e tij të suksesshme.
Me siguri do ta shoh të hënën në Paris, për ‘Topin e Artë’. Ai është lojtar i PSG dhe ne nuk do t’i bënim asnjë nder duke folur për të. Duhet ta respektojmë. Jemi shumë të vetëdijshëm për impaktin e Leos. Ka shumë katalanas që vazhdojnë të mbajnë veshur fanellën e Leos”.
Laporta nuk mund ta fshihte buzëqeshjen kur po fliste për yllin argjentinas dhe mundësinë që ai të luajë sërish në “Camp Nou”.
Kujtojmë se Leo Messi e përfundon kontratën e tij me Paris Saint-Germain verën e ardhshme, më 30 qershor 2023 dhe nuk dihet se cila do të jetë e ardhmja e tij. Te Barça janë të vetëdijshëm për lojtarët që do të jenë të lirë dhe argjentinasi është pa dyshim një nga më të dëshiruarit në treg.