41 emigrantë humbën jetën si pasojë e mbytjes së një anije në ishullin italian të Lampedusa. Vetëm 4 persona mundën që t’i shpëtonin katastrofës, të cilët iu thanë ekipeve të shpëtimit se kishin qenë në një varkë që ishte nisur nga Sfax në Tunizi dhe ishte fundosur rrugës për në Itali. Me origjinë nga Bregu i Fildishtë dhe Guinea, ata arritën në Lampedusa të mërkurën.
Të mbijetuarit, një djalë 13-vjeçar, 2 burra dhe 1 grua u thanë ekipeve të shpëtimit se ishin në një varkë që mbante 45 persona, përfshirë 3 fëmijë, teksa shtuan se varka, e cila ishte rreth 7 metra e gjatë, u largua nga Sfax të enjten e javës së kaluar, por u mbyt brenda disa orësh pasi u godit nga një valë e madhe.
Mësohet se vetëm 15 persona kishin veshur jelek shpëtimi, por mesa duket kjo nuk ishte e mjaftueshme që ata të shpëtonin.
Të mbijetuarit thanë se arritën që të shpëtonin duke notuar dhe më pas u vunë re nga një anije mallrash, nga e cila më pas janë transferuar në një mjet lundrues të rojes bregdetare italiane.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për migracionin, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), tha se emigrantët do të kishin pak shanse për të mbijetuar.
“Emigrantët që largohen nga Tunizia detyrohen të përdorin këto varka hekuri me kosto të ulët, të cilat thyhen pas 20 ose 30 orësh lundrimi. Me këtë lloj deti, këto varka përmbysen lehtësisht,” tha zëdhënësi i IOM-it, Flavio Di Giacomo.
Autoritetet tuniziane thonë se Sfax, një qytet port rreth 80 milje nga Lampedusa, është një portë e njohur për emigrantët që kërkojnë siguri dhe një jetë më të mirë në Evropë./tvklan.al