“Fshehja e pronave”, reagon Albert Musliu

VMRO-DPMNE sot ka prezantuar personat që janë pjesë të funksionarëve, siç thonë, të kyçur në aferën “Pronat Sekrete”. Emrat të cilat pretendon opzitarja VMRO-DPMNE janë eksperti dhe analisti politik Albert Musliu, Avokati Ivica Jevtiq, Drejtori I Ndërmarrjes Publike “Pyjet e Maqedonisë”, Valentin Gruevski, dhe anëtari I Këshillit drejtues në Shtëpinë e Shëndetit në Berovë, Novica Peçinski, janë katër nga 123 emrat, për të cilët VMRO-DPMNE-ja pretendon se kanë prona sekrete në vlerë prej 30 milionë euro.

Rreth pretendimeve të VMRO-DPMNE-së, ka reaguar analisti Albert Musliu duke theksuar se nuk e fsheh pronën të cilën e posedon.

“Detyra për të cilën jam emëruar nuk paguhet. Sipas njohurive të mia për detyrë të këtillë nuk duhet të dorëzoj listë anketuese, nuk e fsheh pronën që e posedoj. Besoj se të dhënat për pronën time VMRO-DPMNE i ka marrë nga Administrata Kadastrale, ku është e paraqitur në mënyrë të rregullt. Në qoftë se nuk kam të drejtë, do të paguaj dënim”, ka shkruar Musliu.

Ndryshe Komisioni për Parandalim të Korrupsionit edhe sot ka bërë thirrje që automatikisht të lidhen softuerët e më shumë institucioneve, por edhe të miratohet ligj për prejardhjen e pronës, me qëllim që në mënyrë efikase të ndiqet dhe eventualisht të sanksionohet ndryshimi i gjendjes së pronës së funksionarëve shtetërorë dhe personave të emëruar. Për katër persona, të afërt me partinë në pushtet LSDM, për të cilët opozitarja VMRO-DPMNE sot ka bërë publike të dhëna për gjendjen e padeklaruar të pronës, anëtarët e Antikorrupsionit do të veprojnë sipas informacioneve të  tyre, por i bëjnë thirrje partisë që të gjitha gjetjet që i posedon t’i dorëzojë në Komisionin Shtetëror./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share