ALTERNATIVA: GASHI MBAN TAKIME TË RREGULLTA ME AUTORITETE TË JETËS POLITIKE
Partitë opozitare shqiptare së fundmi kanë përcjellë sinjale për bashkimin e forcave të tyre, me bindjen se në këtë mënyrë do të mund të mposhtin BDI-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat duhet të mbahet pas një viti, njofton KlanM.
Në këtë drejtim së fundmi është realizuar edhe një takim mes liderëve të Alternativës dhe Lëvizjes Besa, Afrim Gashi dhe Bilall Kasami. Kështu të paktën flasin informatat që kanë qarkulluar në media ditëve të fundit.
Nga partia e Gashit, të pyetur nga TV Klan M nëse janë të vërtetë këto informata, nuk e kanë pohuar por, as nuk e kanë mohuar takimin në fjalë. Ndërsa në pyetjen nëse mund të pritet një koalicion mes këtyre dy subjekteve politike, janë përgjigjur se do të realizojnë kërkesat e qytetarëve.
“Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, në kuadër të mandatit të tij, rregullisht mban takime me autoritete nga jeta shoqërore dhe politike, si nga vendi ashtu edhe më gjerë. Për sa i përket çështjes konkrete në këtë moment, mund të njoftojmë vetëm sa vijon: Alternativa udhëhiqet vetëm nga interesat e qytetarëve dhe nëse pjesa më e madhe e tyre kërkon që BDI të pushojë nga qeverisja 20-vjeçare, ne kemi detyrim që këtë ta realizojmë” – thonë nga Alternativa.
Ndërkohë, nga Lëvizja Besa, nuk kanë dhënë një qëndrim sa i përket kësaj.
Partia Alternativa, përpos me Lëvizjen Besa, muajt e fundit, sic percjell KlanM, zhvillon komunikim edhe me fraksionin e BDI, të ashtuquajturin “Grupi i Zjarrit”, me të cilët kanë realizuar disa takime.
Njëri prej tyre është realizuar në muajin janar, kur u bë zgjerimi i Qeverisë. Sekretari i Alternativës, Zeqirjia Ibrahimi, atëherë konfirmoi për mediat këtë takim, duke thënë se kanë biseduar rreth qëndrimit të tyre kundrejt zgjerimit të shumicës dhe si do të veprojnë ata në atë rast.
Alternativa, nga fillimi i vitit 2022 ishte pjesë e Qeverisë së Kovaçevskit, por me zgjerimin e shumicës qeveritare dhe përfshirjen e ASH-së në të, partia mori vendim që të del nga koalicioni qeveritar. /KlanMacedonia/
Përgatiti: Teuta Buçi