FRONTI EVROPIAN
Liderët e BDI-së dhe ASH-së, Ali Ahmeti dhe Ziadin Sela mbrëmë në Gostivar zyrtarizuan koalicionin në “Frontin Evropian” dhe paraqitjen e përbashkët në zgjedhjet parlamentare.
Në mënyrë simbolike, në mes të sallës në Gostivar, kreu I BDI-së Ali Ahmeti dhe ai i ASH-së, Ziadin Sela, firmosën marrëveshjen e koalicionit në “frontin evropian”, marrëveshje kjo që u quajt e fitores.
“Me mandate të forta që t`i themi PO Evropës dhe JO Rusisë” – tha në fjalimin e tij, kreu I BDI-së, Ali Ahmeti, duke e quajtur “Frontin Evropian” kapitalin më të madh të shqiptarëve. Sipas Ahmetit, në këtë kohë të sfidave të ndryshme, uniteti është më se i domosdoshëm.
“Ka patur përballje politike, por asnjëherë nuk I kemi shndërruar ato në hasmëri. Dhe, kjo e sontmja këtu edhe e dëshmon. Prandaj të gjithë ju këtu, të gjithë sa jeni. Ju jeni përfaqësues të të gjitha partive të frontit. Ju jeni ata të cilët do të shkoni e të përballeni derë më derë dhe të jeni krenar se kurrë s`ju turpërojmë. Të jeni krenar se misioni ynë është historik” , tha Ahmeti.
Kreu i ASH-së Ziadin Sela, potencoi se shqiptarët kanë ditur të bëhen bashkë në momente historike, kurse ky unitet, sipas tij, parandalon rreziqet që vijnë edhe nga ndikimet e jashtme.
“Ne kemi ditur çdoherë të bëhemi bashkë kur kemi qenë në rrezik të madh dhe kur kemi qenë brenda rrezikut. Ama kësaj here ka një dallim. Ne po bëhemi bashkë për të parandaluar rreziqet që na vijnë nga Lindja dhe sa më shpejtë në këtë vend të gjithë komunitetet t`i bëjmë pjesë të Perëndimit, të lirisë, të mirëqenies, të zhvillimit ekonomik”, tha Sela.
Çdo sukses i shqiptarëve mban vulën e BDI-së, tha kandidati Presidencial, Bujar Osmani. Ai kërkoi mbështetje nga të gjitha komunitetet në vend, për t`i çuar përpara proceset e radhës.
“Kur premtuam NATO-n, sot shënuam katërvjetorin e anëtarësimit në NATO. Premtuam Kryeministrin e parë, sot afër jush ballëlartë është Talat Xhaferi. Andaj nuk ka asnjë dyshim të vogël se ne bashkë do ta bëjmë edhe Presidentin e parë shqiptar”, tha Osmani.
Ali Ahmeti kishte një amanet. Nëse dikur kishte qenë vëllai i vogël i Arbën Xhaferit, premtoi se tani si vëllai i madh do t`i prijë proceseve tjera.
“Nëse unë kam qenë vëllau I vogël gjatë luftës I Arbën Xhaferit, unë sot jam vëllau juaj I madh dhe kurrën e kurrës, mos mendoni, mos dyshoni, se mua nuk më keni ballë në të gjitha furtunat, në të gjitha përballjet”, tha Ahmeti.
Në “frontin evropian” koalicion ky që udhëhiqet nga BDI-ja, krahas ASH-së së Ziadin Selës, ditëve të kaluara aderuan PDSH-ja e Menduh Thaçit, Lëvizja “Populli” e Skender Rexhepit, Partia Demokratike Evropiane e Arjanit Hoxhës, Partia Demokratike e Turqve, Unioni i Romëve dhe Lëvizja e Turqve të Maqedonisë për drejtësi dhe demokraci./tvklan.mk/