ZGJEDHJET PARLAMENTARE
Një kryeministër për të gjithë, jo Rusisë po Evropës dhe marrëveshje e konsensusit ekonomik, janë tre shtyllat kryesore të programit të Frontit Europian, me të cilin garon në zgjedhjet parlamentare.
Fatmir Besimit nga ky bllok politik, i cili është edhe ministër aktual i Financave, duke prezantuar programin zgjedhor tha se, shtylla e parë për kryeministër për të gjithë, është vazhdimësi e konceptit një kryeministër shqiptar.
“Nëse në ciklin paraprak kishim kryeministër i parë shqiptar, kjo është vazhdimësi e këtij koncepti. Edhe atëherë edhe sot, kryeministri i Maqedonisë së Veriut do të jetë një person i cili është i barabartë për të gjithë. Gjegjësisht, kryeministri aktual i Maqedonisë së Veriut është kryeministër i të gjithë qytetarëve”, tha Fatmir Besimi.
Sa i përket shtyllës së dytë, Besimi tha se ka të bëjë me integrimin e vendit në BE, bashkëpunimi rajonal, gjeopolitika dhe NATO si dhe partneriteti strategjik me ShBA-në.
“Jo Rusisë, po Europës theksohet për arsye të zhvillimeve gjeopolitike të fundit, duke ditur se kemi luftë në kontinentin evropian dhe sfida të tjera të cilat paraqiten në forma të luftës hibride, në kohërat moderne të teknologjisë si dhe sfidave të mjedisit”, tha Fatmir Besimi.
Ndërkaq, shtylla e tretë “Marrëveshje për konsensus ekonomik”, sipas Besimit, parasheh partneritet me të gjithë aktorët në shoqëri, komunitetin e biznesit, përfaqësues të sindikatave dhe përfaqësues të organizatave tjera në shoqëri./tvklan.mk