Fronti Evropian ka reaguar lidhur me rishqyrtimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe Balancuesit. Në reagimin e tyre thuhet se pas deklaratave politike nga VMRO, ZNAM dhe përfaqësues të tjerë qeveritarë kundër Balancuesit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, sot dëgjuam edhe një deklaratë shqetësuese nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, për gjoja “heqje të dilemave” për Balansuesin dhe ligjin e gjuhëve. Për Frontin Evropian kjo çështje është e motivuar politikisht.
Duam t’i rikujtojmë pushtetit aktual se këto tema nuk kanë dilema dhe janë mbyllur edhe me amendamentet kushtetuese edhe me ligjet e tjera në fuqi, të cilat janë votuar me shumicë të dyfishtë dhe absolute, nga përbërje të ndryshme parlamentare ku kanë participuar të gjjtha partitë më të mëdha maqedonase. Njëkohësisht ju bëjmë thirje partive shqiptare që pa legjitimitet hyjnë në këtë Qeveri monoetnike të tërhiqen nga kjo aventurë dhe të kuptojnë se aty janë vetëm për tu shërbyer projekteve antishqiptare duke i aprovuar ato me heshtjen dhe servilizmin e tyre.
Kanë reaguar edhe nga koalicioni VLEN nga ku këtë nismë e konsiderojnë si tentim për grusht shteti. Sipas tyre nëse ky ligj përdoret për politika ditore, e njëjta do të sjellë rreziqe.
“Duke pasur parasysh faktin se iniciativa vjen nga një parti anti-NATO që glorifikon regjimin komunist të Enver Hoxhës, më e pakta që presim është që kjo të refuzohet me konstatimin se është një përpjekje për grusht shteti. Kjo veçanërisht për faktin se bëhet fjalë për kontestimin e procesit të hyrjes në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, pa u thelluar në përmbajtjen e tij”
Reagimet e tilla vijnë pas deklaratave të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, i cili tha se me ligjin për përdorimin e gjuhëve, politika ka krijuar një kaos juridik e që rezultoi me kaos politik, e për këtë ligji sipas tij, mund edhe të shfuqizohet. /tvklan.mk