Këtë të diel do të zhvillohet gara e parë sezonale në Formula 1, në Bahrein. Në krye të Ferrari këtë sezon është francezi Frederic Vasseur, që bën një analizë të “kokëkuqes” në prag të debutimit sezonal: “E kam përjetuar këtë moment shumë herë në karrierën time, por duhet të pranoj se kjo kohë është vërtet e veçantë”.
“Ndjej pasionin jo vetëm të të gjithë njerëzve të Ferrarit në Maranello, por edhe të tifozëve. Edhe mua më mjaftuan disa muaj që të infektohesha nga ky entuziazëm pasionant. Mezi presim të fillojmë sezonin. Testet shkuan mirë dhe tre ditët e javës së kaluar treguan se makina po jep indikacionet që prisnim. Tani duhet të perfeksionojmë konfigurimin për të përfituar sa më shumë nga makina”, tha Vasseur.
Më tej, shefi i Ferrari shton për garën e parë sezonale: “Ky është kampionati me më shumë gara, kështu që sido që të jetë rezultati i garës në Bahrein, titulli nuk do të fitohet dhe as humbet aty. Ne e njohim mirë pistën, megjithatë temperaturat shumë të ndryshueshme të ajrit dhe pistës, kushtet e ndryshueshme të erës dhe gomat e reja Pirelli do ta bëjnë të vështirë vendosjen e makinës në mënyrën më të mirë të saj”.
Duke folur për dy pilotët e “kokëkuqes”, Vasseur tha: “Si Carlos ashtu edhe Charles janë konkurrentë të fortë e të barabartë në startin e sezonit. Ata kanë mbledhur shumë të dhëna gjatë tre ditëve të testimit, ndaj pres një ekip të përgatitur mirë për një fundjavë konkrete”.