Franca hap derën për shtetet ballkanike

Mbështetje për integrimin e shpejtë në BE të Shqipërisë

Nga Praga ndërsa shoqëron presidentin Macron ministrja franceze për Çështje Europiane Laurence Boone ka hequr çdo dyshim se Komuniteti Politik Europian ishte një dhomë pritjeje afatgjatë ku do akomodohej Shqipëria dhe shtetet ballkanike. Ajo vlerëson reformat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që sollën hapjen e negociatave.

“Ideja e një komuniteti europian kaq të madh politik ka rrënjë historike. Ajo e ka pikënisjen tek François Mitterrand, i cili mbrojti krijimin e një ‘Konfederate Europiane’. Në atë kohë, Rusia ishte pjesë e projektit. Nuk është më që nga pushtimi i Ukrainës. Projekti po rikthehet fuqishëm në një kontekst gjeopolitik që ka ndryshuar plotësisht. Gjatë bisedave të mia më të fundit në Shqipëri ju thashë se ata së bashku me shtetet e BE-së si pjesë e këtij organizmi mund të bëjnë përparim politik, gjë që është në avantazhin tonë të përbashkët. Kjo ide ndryshon shumë politikisht dhe nuk e pengon procesin e anëtarësimit”.

Sipas zonjës Boone ky komunitet politik europian u jep mundësi vendeve kandidate për anëtarësim nga Ballkani Perëndimor, që të afrohen më tepër me BE-në.

“Ne e dimë se procesi i integrimit është i gjatë dhe i vështirë. Kjo është arsyeja pse ne duam të promovojmë një proces politik në të cilin vendet kandidate mund të krijojnë partneritete, pavarësisht nga procesi i anëtarësimit ne BE. Kjo mund t’i mbështesë politikisht këto vende. Pastaj mund të ketë vende që jo domosdoshmërisht duan të bëhen anëtarë të BE-së, por për të cilat është në interesin tonë kolektiv që të thellojnë bashkëpunimin me BE-në në fusha të veçanta”.

Franca mbështet idenë e heqjes se votimit unanim ne rastet si bllokimi i negociatave me Shkupin e Tiranen nga ana e Sofjes.

“Nëse shkojmë drejt një Unioni prej 30 apo 34 anëtarësh, atëherë do të jetë e vështirë të vazhdojmë të funksionojmë siç është sot. Ndaj, Presidenti Macron është treguar i hapur ndaj një reforme të vendimmarrjes në fusha të caktuara dhe, nëse është e nevojshme, për një rishikim të Traktateve. Ne shohim se rregull i votimit unanim ndonjëherë na pengon të ecim përpara. Nëse një vend bllokon gjithçka, në një kohe kur 26 të tjerët pajtohen, kjo nuk është normale”.

Sipas ministres franceze në vlerat europiane ku bazohet Komuniteti Politik Europian, objektivi është që “të 44 shtete të trajtohen në baza të barabarta”,por pa një strukturë institucionale, në mënyrën e një G20.

“Ideja është që të fillojmë këtë forum politik dhe të biem dakord për projekte konkrete bashkëpunimi“, tha Boone, duke shtuar se kjo do të ishte një mënyrë për të siguruar këto vende kandidate të shqetësohen për interesat e organizatës.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share