Franca ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në luftën Izrael-Hamas. Ministrja e Jashtme e Francës, Catherine Colonna gjatë thirrjes së saj për armëpushim shtoi se shumë civilë po vriteshin si pasojë e kësaj lufte. Ajo mbërriti në Tel Aviv gjatë ditës së sotme për një takim me homologun e saj izraelit, Eli Cohen.
“Bëj thirrje për armëpushim të qëndrueshëm me qëllim lirimin e të gjithë pengjeve dhe dërgimit të ndihmës në Gaza”, u shpreh ministrja e Jashtme e Francës.
Gjatë takimit me homologun e saj izraelit, Cohen, ajo shtoi se viktimat e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 Tetor nuk duhet të harrohen.
Nga ana tjetër, ministri i Izraelit Cohen përsëriti qëndrimin e qeverisë izraelite se nuk do të kishte armëpushim. Por ai tha se Franca mund të luajë një rol të rëndësishëm në parandalimin e përshkallëzimit të tensioneve rajonale.
Ai shtoi se teksa Izraeli “nuk ka ndërmend të fillojë një front tjetër” në kufirin e saj verior me Libanin, do të bënte “çfarëdo që të duhej” për të mbrojtur qytetarët izraelitë. Gjatë fjalës së tij, ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen tha se një armëpushim do të ishte një gabim, duke e përshkruar atë si një dhuratë për Hamasin.
Kujtojmë se Britania e Madhe dhe Gjermania bënë thirrje më herët për një armëpushim të qëndrueshëm, por nuk thanë se duhet të ishte i menjëhershëm./tvklan.al