Forumi Rinor i Bashkimit Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj videove të publikuara dje nga shkolla e mesme “Gjimnazi” i Gostivarit, ku klasat ishin të boshatisura dhe sipas informacioneve, nxënësit kishin shkuar të marrin pjesë në takimin me Arben Taravarin nga VLEN.
Nga FR-BDI thonë se ky veprim është keqpërdorim i nxënësve dhe institucionit arsimor, pasi të njejtët po i vendosin në shërbim të interesave partiake.
Reagimi i plotë:
Aleanca për Shqiptarët, nën udhëheqjen e Arben Taravarit, po shfrytëzon shkollat dhe nxënësit për aktivitete dhe interesat e tyre strikte partiake. Këtë po e dëshmon veprimi i djeshëm ku nxënësit e shkollave të mesme të Gostivarit u detyruan të lënë orët mësimore pët të marrë pjesëmarrje në takimin e FRASH-it.
Videot që po qarkullojnë nëpër rrjetet sociale janë dëshmi e qartë e këtij abuzimi: klasat e boshatisura janë një shenjë e keqpërdorimit të nxënësve dhe përfshirjes së tyre në aktivitetet politike të një partie.
Nxënësit janë të rinjtë e këtij vendi dhe ata meritojnë të përqendrohen te arsimi i tyre, jo të abuzohen për qëllimet e politikës ditore.
Shkollat janë institucione për edukim ku duhet të përgatitet brezi i ardhshëm në rrafshin profesional, dhe jo për t’i shndërruar ata në “kope” që veprojnë sipas urdhrave të partisë.
Për këtë arsye, kërkojmë përgjegjësi për këto veprime dhe që autoritetet përkatëse të ndërhyjnë menjëherë për të ndaluar keqpërdorimin e institucioneve shkollore dhe nxënësve për qëllime partiake.
Përgjegjësia bie mbi Arben Taravarin dhe Aleancën për Shqiptarët që të ndërpresin këto praktika dhe të rikthejnë shkollat në vendin ku nxënësit mund të marrin arsim dhe dije pa u ndikuar nga politika.