Vendimi erdhi pasi avokatët po përgatiteshin të rinisin gjyqin, rrjeti televiziv akuzohet për lajme të rreme në Presidencialet e 2020
Rrjeti i madh televiziv Fox News ka arritur një marrëveshje që të paguajë 787.5 milionë dollarë kompanisë Sistemet e Votimit Dominion.
“E vërteta ka rëndësi. Gënjeshtrat kanë pasoja. Më shumë se dy vjet më parë, një lum gënjeshtrash dolën në pah. Në një univers paralel të teorive konspirative i shkaktuan dëme të rënda Dominionit dhe vendit. Shlyerja prej 787,500,000 dollarë përfaqëson shfajësimin dhe përgjegjësinë.”
Kompania “Dominion Voting Systems”, e cila prodhon pajisje elektronike për numërimin automatik të votave, ngriti një padi për shpifje kundër rrjetit televiziv “Fox News” në vitin 2021, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 1.6 miliardë dollarësh. Firma e akuzoi televizionin “Fox News se ka manipuluar zgjedhjet e 2020 në SHBA në favor të demokratit Joe Biden ndaj presidentit republikan të atëhershëm Donald Trump. Dominion kishte argumentuar se këto pretendime i shkaktuan kompanisë “dëm ekonomik të madh dhe të pariparueshëm”.
Fox News në një deklaratë u shpreh se arritja e marrëveshjes reflekton përkushtimin që ka ky rrjet televiziv, për standardet më të larta të gazetarisë. Në deklaratën e Fox-it është thënë, pa treguar hollësi, se rrjeti e di se gjykata kishte gjetur se disa pretendime për rrjetin Dominion janë të pavërteta.
Dominion është ende në proces gjyqësor kundër dy rrjeteve tjera konservatore në Shtetet e Bashkuara, OAN dhe Newsmax. Kjo kompani ka paditur edhe aleatët e Trumpit, sikurse, Rudy Giuliani, Sidney Powell dhe Mike Lindell.
Gazetare: Livia Kallfa