Fotografia ikonike e sulmeve ruse, ukrainasja: Fitorja e Ukrainës kundër Putinit do të jetë fitore e gjithë botës

Nëntë muaj më parë, fotografia e një gruaje ukrainase u bë kryefjalë në mediat ndërkombëtare. Olena Kurilo u konsiderua si një simbol i gjendjes së rëndë të Ukrainës kundër operacionit special ushtarak të Rusisë.

Fotografia është shkrepur nga Anadolu, në qytetin Chuhuiv në rajonin Kharkiv të Ukrainës lindore, një ditë pasi Rusia njoftoi “operacionin” e saj kundër Ukrainës.

Duke kujtuar raketën që goditi ndërtesën e banimit ku ajo jetonte, Kurilo në një intervistë për Anadolu tha se si pasojë e shpërthimit ajo ishte e mbuluar nga pluhuri, ndërsa sytë e saj ishin të mbushura me copëza xhami. Ajo theksoi se kishte nevojë për një operacion sa më shpejt të ishte e mundur.

“Më duhej një operacion dhe klinikat në Ukrainë nuk mund të më pranonin, por falë gazetarëve dhe gazetave britanike arrita të shkoj në Poloni dhe bëra tre operacione. Do të hyj edhe në një operacion këtu (në Londër) dhe ka mundësi që të rifitoj shikimin deri në 50 për qind”, njofton Kurilo.

Më tej, ajo theksoi se situata e saj nuk ndodhi rastësisht, pasi tani ajo ka një mision të ndihmojë njerëzit dhe Ukrainën, shkruan Anadolu..

“Ndodhi që u bëra fytyra e luftë së Ukrainës, por e kuptova që nuk ndodhi thjesht rastësisht. E kuptova që kjo ishte me qëllim dhe se kisha një mision. Misioni im tani është të ndihmoj njerëzit. Është e vërtetë se unë kryesisht flas për Ukrainën, sepse e kuptoj se tani detyra ime është edhe të ndihmoj fitoren e Ukrainës, të ndihmoj vendin tim dhe do të përdor zërin tim sa më shumë që të mundem”, shprehet Kurilo.

Kurolo tha se është tronditur kur burimet e mediave ruse pretenduan se ajo që i ndodhi asaj nuk ishte e vërtetë dhe se fotografia e saj ishte e “një aktoreje pesë vite më parë”.

“Në fillim isha e tronditur, por më pas fillova të buzëqesh duke parë të gjitha këto gjëra. Ata thoshin se jam oficere. Ata po përpiqeshin të gjenin dhe përdornin fotografi të grave të tjera, por ato aspak nuk më ngjanin. Kur më thirrën për intervistë, pasi propaganda ruse tha se isha kapur dhe kisha pranuar se jam oficere, realizuam një lajm për të sqaruar situatën”, tha Kurilo.

Duke komentuar situatën sot, Kurilo nënvizoi gjithashtu se Ukraina “po qëndron midis Putinit dhe Evropës”.

“Vetëm nëse fitojmë, atëherë Putini nuk do të shkojë më tej, sepse ai nuk do të ketë burimet për ta bërë këtë. Kjo fitore është e rëndësishme për të gjithë dhe besoj se njerëzit e kuptojnë këtë. Fitorja jonë kundër Putinit do të jetë fitorja e gjithë botës”, tha Kurilo.

“Shumëçka varet edhe nga partnerët tanë që po na mbështesin. Ne me siguri kemi nevojë për më shumë armë për të luftuar. Sa më shumë armë të marrim, aq më shpejt do të arrijmë fitoren dhe aq më shpejt do të vijë paqja në tokat tona”, shtoi ajo.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share