Gara e Kinës në rrezik prej masave anti-Covid
Sezoni 2023 i Formula 1 mund të nisë me një ndryshim të kalendarit. Gara e Çmimit të Madh të Kinës, që zhvillohet në Shanghai, mund të anullohet për shkak të masave të rrepta anti-Covid që janë ende në fuqi në shtetin aziatik. Gara e Kinë su rikthye në kalendarin e vitit të ardhshëm, por mund të hiqet sërish.
Sipas mediave, Formula 1 është në bisedime me organizatorët e garës së Shanghai, për të marrë sa më shpejt një vendim në lidhje me mundësinë e zhvillimit të garës. Në të kundërt, kjo garë mund të spostohet në një vend tjetër, duke patur edhe modifikime të lehta të kalendarit, që vitin e ardhshëm ka edhe rekordin e 23 garave.
Stefano Domenicali, po bisedon me organizatoët e garës së Portimao (Portugali), për ta futur në kalendar në rast se dështon gara e Kinës. Gjithçka pritet të zyrtarizohet më datën 9 dhjetor, kur të mblidhet këshilli i FIA-s. Në Kinë masat anti-Covid janë ende ekstreme, ndërkohë që në gjithë botën ato janë lehtësuar dhe garat këtë vit u zhvilluan normalisht, me kapacitet të plotë tifozësh.