Formohet Shtabi i Krizës / MPJ: Në rritje numri i shtetasve të RMV-së në zonat e kërcënuara në Izrael dhe Bregun Perëndimor

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot kolegut të tij izraelit, ministrit Eli Koen, i shprehu ngushëllime për viktimat dhe pasojat, ndërsa dënoi ashpër sulmet e vazhdueshme ndaj Izraelit, të cilat filluan me sulmin e djeshëm të Hamasit. Osmani rikonfirmoi qëndrimin e Ministrisë, për lirimin e menjëhershëm të të gjithë civilëve të mbajtur peng nga Hamasi, si dhe ndërprerjen e menjëhershme të çdo aksioni të dhunshëm kundër Izraelit.

“Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në mëngjesin e sotëm, me procedurë urgjente ka formuar Shtabin e Krizës në kuadër të Ministrisë, që do të ketë për detyrë monitorimin, koordinimin dhe sistemimin e të gjitha procedurave që kanë të bëjnë me qytetarët tanë që ndodhen në dhe rreth zonave të kërcënuara, dhe të cilët do të kenë nevojë për ndihmë ose asistencë për evakuimin e tyre të sigurt”, thonë nga MPJ.

Numri i qytetarëve të Maqedonisë, që raportohet të jenë gjendur në zonat e kërcënuara në Izrael dhe Bregun Perëndimor është në rritje të vazhdueshme. Nga Ambasada e Maqedonisë në Tel Aviv thonë se janë në kontakt të vazhdueshëm me shtetasit e RMV-së të regjistruar atje dhe se po merren masat përgatitore për ndihmën e mundshme për evakuimin e sigurt të tyre, përcjell KlanM.

Përveç aktiviteteve të ambasadës në Izrael, siç njoftojnë nga MPJ, sot në mëngjes është dërguar një udhëzim urgjent për rrjetin diplomatik të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vendet përreth, për përgatitjen e tyre të veçantë për aktivitetet e mundshme dhe gatishmërinë e tyre 24 orëshe si për qendrën në Shkup ashtu edhe për komunikimin e mundshëm me qytetarët.

Rrjeti diplomatik, siç thuhet në njoftim, është në kontakt edhe me kolegë nga misionet diplomatike të vendeve mike, të cilët po përgatiten gjithashtu për ndihmë të organizuar për qytetarët e bllokuar në dhe rreth zonave të kërcënuara.

“Edhe një herë u bëjmë thirrje qytetarëve tanë që aktualisht ndodhen në Izrael të respektojnë udhëzimet e organeve të sigurisë së Izraelit, si dhe të paraqiten në ambasadën në Tel Aviv ose në telefonat e shërbimit në selinë në Shkup. Informacione më të hollësishme rreth situatës aktuale mund të gjenden në faqen e mëposhtme: https://www.oref.org.il/12481-en/Pakar.aspx . Për më shumë informacion, telefoni SOS i Ministrisë së Punëve të Jashtme: 075/273-732, si dhe linja telefonike e Ambasadës në Tel Aviv +972-54-926-7378”, përfundon njoftimi i MPJ-së./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share