Në qytetin Lyman të Ukrainës që u rimorr së fundmi nga forcat ukrainase, janë gjetur dy varreza masive. Kështu thotë guvernatori ukrainas i rajonit të Donetskut, Pavlo Kyrylenko, i cili shprehet se në njërën prej varrezave masive kishte rreth 200 varre individuale me trupa të civilëve.
Është e paqartë se sa varre ka në varrezën e dytë masive, por mund të ketë trupa të ushtarëve dhe civilë, tha Kyrylenko.
Nuk dihet koha dhe shkaku i vdekjes së viktimave.
Guvernatori ukrainas i rajonit Donetsk ka shkruar në Telegram se autoritetet kanë nisur hetimet për këto dy varreza masive.
Qyteti Lyman ndodhet në Donetsk, një nga katër rajonet që Rusia aneksoi së fundmi përmes referendumeve të dyshimta.
Lyman u mor nën kontroll gjatë ditëve të fundit nga forcat ukrainase, pasi trupat ruse u tërhoqën. /tvklan.al