Bruno Dodi, një shqiptar në Turqi, ka treguar momentet e vështira nga tërmeti vdekjeprurës me magnitudë 7.8.
Në një lidhje për Klan News, Bruno Dodi thotë se ka qenë në katin e 12 të një hoteli në qytetin Adana kur vendi u trondit nga tërmeti i fuqishëm.
“Ka pasur lëkundje nga ora 05:00 deri tani, pothuajse çdo 10-15 minuta ka lëkundje. Shembje të banesave ka këtu në Adana, unë jam në qendër të Adanasë, njerëzit janë pothuajse akoma jashtë që nga mëngjesi kur filluan lëkundjet. Situata është e vështirë, ishte një tërmet i fuqishëm. Unë banoja për momentin në katin e 12 të një hoteli dhe ishte e pamundur që të zbrisje poshtë. Ishte shumë tronditës”, thotë Bruno Dodi.
Sipas tij, edhe në aeroportin e këtij qyteti ka të ngjarë që të ketë patur probleme nga lëkundjet sizmike.
Qyteti Adana është një nga të prekurit e tërmetit në Turqi, ku janë rrëzuar edhe pallate. /tvklan.al