Filipçe: I gjithë procesi i votimit në zgjedhjet e brendshme për kryetar të LSDM-së zhvillohet qetë dhe në frymë pozitive

Shkup, 30 qershor 2024 (MIA) – I gjithë procesi i votimit në zgjedhjet e brendshme partiake për kryetar të LSDM-së sipas informacioneve në mbarë vendin zhvillohet qetë dhe ka një frymë pozitive te të gjithë pjesëmarrësit në procesin e votimit, deklaroi kandidati për kryetar të ri të partisë Venko Filipçe, pas votimit në vendvotimin e tij në Komunën e Karposhit.

Ish ministri i Shëndetësisë dhe deputet aktual nga radhët e LSDM-së, Filipçe, poashtu u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të regjistruar të dalin dhe të votojnë në numër sa më të madh.

Lidhur me dyshimet që këtyre ditëve dolën në opinion sa i takon legjitimitetit të procedurës, Filipçe thotë se kanë marrë njoftim nga Komisioni qendror i zgjedhjeve se ato dyshime janë të pabaza.

“Për zbatimin e procedurës është përgjegjës Komisioni qendror i zgjedhjeve i cili i ka analizuar të gjitha ato vërejtje dhe i ka njoftuar të gjithë kandidatët se të gjitha ato dyshime janë të pabaza dhe se i gjithë procesi është legjitim”, ka thënë Filipçe.

LSDM sot në zgjedhjet e jashtëzakonshme brendapartiake do të zgjedh lider të ri të partisë. Votimi do të zhvillohet në 77 qendra votimi në mbarë vendin, ndërsa të drejtën e votës do të mund të ralizojnë rreth 23 mijë anëtarë të akredituar të partisë.

Në garën për lider të LSDM-së mbeten ish ministri i Shëndetësisë dhe deputet aktual Venko Filipçe, drejtori i ZZHTI-së Jovan Despotovski, si dhe ish zëvendësministri i MSHIA-s Aleksandar Bajdevski, ndërsa ish ministrja e Mbrojtjes dhe deputetë aktuale Sllavjanka Petrovska një ditë para zgjedhjeve tërhoqi kandidaturën.

Deri tani në krye të partisë kanë qenë Branko Cërvenkovski, Vllado Buçkovski, Radmilla Shekerinska, Zoran Zaev dhe Dimitar Kovaçevski.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share