FIFA nis procedurë disiplinore ndaj Serbisë, Daçiq nuk mbushet mend

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë të dielën se Serbia si shtet nuk mund të reagojë ndaj faktit që Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka iniciuar procedurë ndaj kombëtares së Serbisë sepse ato janë organizata sportive, por ai e ka vlerësuar këtë veprim si hipokrit, transmeton Beta në Serbi.

FIFA ka nisur procedurat kundër Federatës së Futbollit të Serbisë pasi një flamur që tregonte Kosovën si pjesë e Serbisë ishte varur në dhomën e zhveshjes para ndeshjes që Serbia luajti me Brazilin në Kupën e Botës.

Një fotografi e flamurit me mesazhin “Nuk ka dorëzim” në serbisht u bë virale në rrjetet sociale kur u shpërnda nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku.

Çeku, e përshkroi imazhin si veprim i përfaqësueses së Serbisë për të përdorur Kupën e Botës për të promovuar “mesazhe urrejtjeje, ksenofobie dhe gjenocidale”.

“Presim veprime konkrete nga FIFA duke pasur parasysh se Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) është anëtare e plotë e FIFA-s dhe UEFA-s”, shkroi ai.

Nga ana tjetër ministri i Jashtëm i Serbisë, Daçiq, duke iu referuar nisjes së procedurave disiplinore ndaj përfaqësueses së Serbisë, tha se nuk ka asgjë fyese nëse dikush thotë “Nuk ka dorëzim”.

“Serbia është një vend i njohur ndërkombëtarisht, anëtar i Kombeve të Bashkuara, me Kosovën pjesë të Serbisë, çfarë nuk është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe çfarë është ofenduese. Ky është një tregues se sa nuk ka parime, por standarde të dyfishta. Ata kurrë nuk e ndëshkonin Ukrainën kur thoshte se ‘Donbasi është i yni’ dhe ‘Krimea është e jona’, cili është dallimi”, pyeti Daçiq.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share