FFM: Dënim për incidentin në Ligën e Fëmijëve, ndeshjet tjera do të luhen pa publik

Njoftohen trajnerët e ekipeve pjesëmarrëse në garë të respektojnë kodin e lojës së ndershme dhe të sjelljes. Çdo sjellje e kundërt do t’i nënshtrohet sanksioneve disiplinore.

Federata e Futbollit të Maqedonisë shpreh zhgënjim të thellë për incidentin që ndodhi në ndeshjen e futbollit për fëmijë të turneut final në qendrën stërvitore “Petar Milloshevski”.

Ajo që parashihej të ishte një ngjarje që festonte sportivitetin, punën në grup dhe gëzimin e lojës, u prish nga sjellja e papranueshme e disa prej prindërve të pranishëm.

Si një federatë e përkushtuar për të promovuar një mjedis pozitiv dhe të ndershëm për lojtarët tanë më të rinj të futbollit, ne dënojmë fuqishëm sjelljen e prindërve të pranishëm që shkaktuan dhe morën pjesë në incident. Një sjellje e tillë është në kundërshtim me vlerat që ne mbajmë dhe me shembullin që ne përpiqemi t’u japim fëmijëve tanë.

Është thelbësore që ne të gjithë të përpiqemi për qëllimin themelor të sportit të fëmijëve: të inkurajojmë zhvillimin, argëtimin dhe respektin ndërmjet pjesëmarrësve.

Federata e Futbollit të Maqedonisë, si organizatore e Ligës për Fëmijë, mendoi seriozisht për vendim drastik dhe pezullim të ndeshjeve të tjera, por ai vendim do të nënkuptonte vetëm dëm në kurriz të gëzimit të fëmijëve dhe dëshirës së tyre për të luajtur.

Mirëpo, FFM-ja ka marrë vendim që ndeshjet e tjera të luhen pa praninë e publikut.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share