Festa e Ilindenit, Pendarovski në Manastirin “Prohor Pçinski” të Serbisë

VUÇIQ: SERBËT DHE MAQEDONASIT KANË RAPORTE VËLLAZËRORE

Me rastin e festës shtetërore të Ilindenit, presidenti Stevo Pendarovski vendosi lule para pllakës përkujtimore të KAÇKM-së në manastirin “Shën Prohor Pçinjski”. Gjatë vizitës së tij në Serbi, presidenti Pendarvoski u prit nga homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin realizuan edhe një takim bilateral. Në konferencën e dhënë për media, dy liderët theksuan se dy shtetet kultivojnë raporte të mira fqinjësore dhe bashkëpunimin ekonomik e tregtar.

“Falënderoj presidentin Vuçiq, i cili nga viti i kaluar, me angazhim personal, mundësoi që Maqedonia ta festoj sërish festën më të madhe shtetërore aty ku është formuar shteti bashkëkohor i Maqedonisë, në këtë manastir, i cili tani ndodhet në territorin serb, por në kohën kur është formuar republika e parë e Maqedonisë bashkëkohore, ka qenë shtrirje e një shteti të njëjtë”, tha Stevo Pendarovski.

Ndërkaq, Vuçiq theksoi se, tash më nuk ka çështje të hapura mes dy shteteve, ndërsa dy popujt nuk kanë vetëm raporte miqësore por edhe vëllazërore.

“Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë bashkëpunim të shkëlqyer, kultivojnë raporte miqësore jashtëzakonisht të mira dhe mes tyre nuk ka më çështje të hapura. Shkëmbimi ynë tregtar është 1,5 miliardë euro, ndërsa besoj se do të rritet edhe më tej. Punojmë bashkërisht në lehtësimin e jetës dhe në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve nga dy vendet”, tha Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, me dekada kanë pasur kontest kishtar, pasi Kisha Ortodokse Serbe nuk e njihte autoqefalinë e Kishës Ortodokse të Maqedonisë. Megjithatë, vitin e kaluar, kisha serbe mori vendim që të rinovojë komunitetin liturgjik dhe kanonik të dy kishave simotër, pas çka u mbajt liturgjia e pajtimit në Beograd mes dy kishave./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share