Meloni: Tunizia që ka edhe numrin më të madh të refugjatëve që vijnë në Itali duhet të ruajë stabilitetin ekonomik
Evropa rrezikon të shohë një valë të madhe emigrantësh që vijnë në brigjet e saj nga Afrika e Veriut nëse stabiliteti financiar në Tunizi nuk rikuperohet.
Kjo deklaratë e bërë nga Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i referohet trazirave politike që kanë përfshirë Tunizinë që nga Korriku 2021, kur Presidenti Kais Saied mori shumicën e pushteteve.
“Ndoshta jo të gjithë janë të vetëdijshëm për nevojën për të ruajtur stabilitetin financiar në një vend që ka probleme të rënda financiare. Nëse nuk i trajtojmë siç duhet ato probleme, rrezikojmë të përballemi një valë të paprecedentë migrimi”.
Meloni tha gjithashtu se edhe Presidenti francez Emmauel Macron pas bisedimeve në samitin e mbajtur në Bruksel u shpreh i gatshëm të trajtojë çështjen e emigrantëve.
Ndërkaq nga ana tjetër edhe ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani i tha radios publike RAI, se Evropa mund të shohë dhjetëra, ndoshta qindra mijëra emigrantë me varka nëse ndihma ekonomike nuk i jepet së shpejti Tunizisë.
Tajani u ka propozuar ministrave të Jashtëm të BE-së që të ndajnë fondet e ndihmës në këste, me një pagesë të parë që duhet të jepet sa më shpejt dhe një tjetër këst më vonë kur të arrihen reformat e nevojshme në Tunizi.
Bisedimet e ndihmës me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) kanë ngecur për muaj të tërë, me Shtetet e Bashkuara, ndër të tjera, që kërkojnë reforma të gjera për të çliruar paratë.
Komisioneri Ekonomik Evropian Paolo Gentiloni do të udhëtojë në Tunis më 27 Mars për t’u takuar me zyrtarë tunizianë dhe për të diskutuar mbi reformat e parashikuara nga qeveria.
Më shumë se 20,000 emigrantë me varka kanë mbërritur në Itali deri më tani në vitin 2023, një rekord ky që thyen atë të vitit 2016 kur 181,436 njerëz arritën në vend, kryesisht me anije.
Ndërkaq së fundmi një anije me dy mijë emigrantë zbarkoi në Lampedusa. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, të paktën 12,000 nga ata që kanë arritur në Itali këtë vit u nisën nga Tunizia, kundrejt 1,300 në të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Klan News