Euro 2024, historiku i përballjes së Shqipërisë me kundërshtarët në grup

Shorti i Euro 2024 në Hamburg rezervoi kundërshtarë të fortë për kombëtaren shqiptare.

Kuqezinjtë do ta nisin ndaj Italisë, e cila është edhe fituesja në fuqi e kompeticionit. Një kundërshtarë ndaj të cilit, kuqezinjtë nuk kanë fituar asnjëherë, pasi katër përballjet e mëparshme janë mbyllur me humbje. Italianët kanë fituar të katër duelet, me bilancin total, 1 gol të shënuar dhe 7 të pësuar. Një rival ndaj të cilëve, kemi luajtur dy miqësore dhe dy sfidat e tjera ishin në kuadër të eliminatoreve të kampionatit botëror të zhvilluar në Rusi. Miqësorja e parë daton më 18 Nëntor të vitit 2014, kur në pankinë drejtonte, Xhani de Biasi. Asokohe, në krahun tjetër ishte teknik, Antonio Conte. Italia triumfonte me shifrat 1-0 pas golit të Okaka. Në kualifikueset e Botërorit, Shqipëria humbi 2-0 në Itali dhe në vendin tonë u mposht minimalisht 1-0, kur në pankinë drejtonte Christian Panucci. Përballja e fundit mes dy kombëtareve është ajo e vitit të shkuar, rreth 1 vit më parë, kur u mposhtën në miqësoren e zhvilluar në ‘Air Albania’ me shifrat 3-1.

Bilanc akoma më negativ ndaj Spanjës. Iberikët kanë epërsinë e ndjeshme kundrejt kombëtares sonë. Në 9 përballje kemi pësuar po kaq humbje, për një golavarazh që flet totalisht në kahun e tyre. 34 gola të shënuar dhe vetëm 3 të pësuar për skuadrën e Spanjës, që këtë edicion vjen me pritshmëri të mëdha për tu rikthyer në majën e futbollit Europian. Episodet janë shënuar mes kualifikueseve të Europianit, Botërorit dhe një miqësore, e cila u luajt vitin e shkuar në shtëpinë e spanjollëve. Humbje 2-1, me trajner Edi Rejën, e ku pjesa dërmuese e skuadrës është edhe ajo aktuale.

Ndërkohë, Kroacia është rivali që nuk jemi ndeshur asnjëherë në histori. Gjithsesi, forca e skuadrës ballkanase dihet tashmë, pasi në vitet e shkuara ka treguar potencialin e saj si në arenën Europiane ashtu edhe Botërore.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share