Euro 2024| Federata Serbe: UEFA të dënojë Shqipërinë dhe Kroacinë, ose nuk marrim pjesë në Europian

Federata Serbe e Futbollit do t’i kërkojë UEFA-s të dënojë Shqipërinë dhe Kroacinë për këngët që kënduan në kor tifozët shqiptarë dhe kroatë në ndeshjen e së mërkurës Kroaci-Shqipëri që u mbyll me rezultatin 2 me 2.

Para ndeshjes, gjatë ndeshjes dhe pas ndeshjes, tifozëritë shqiptare dhe kroate festuan e kënduan së bashku në harmoni mes tyre si dy popuj miq.

Por Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Serbe të Futbollit, Jovan Surbatoviç, ka thënë se tifozët shqiptarë e kroatë kënduan dhe bënë thirrje së bashku kundër serbëve. Ai kërkon që dy kombëtaret të dënohen, ose në të kundërt Serbia nuk do të marrë pjesë në Kampionatet Europiane.

“Kjo është skandaloze. Federata do t’i kërkojë UEFA-s që të marrë sanksione. Kjo kërkon dënimet më të rënda në mënyrë që të mos përsëritet më. Do kërkojmë që UEFA të ndëshkojë rëndë grupet e Shqipërisë dhe Kroacisë. Ne nuk do të marrim pjesë në kompeticionin europian nëse nuk dënohen keqbërësit. Presim dënime rigoroze”, tha Surbatoviç.

Ai u shpreh se ka besim që UEFA do të reagojë, njësoj siç bëri me gazetarin nga Kosova që i hoqi akreditimin në Euro 2024 pasi bëri simbole shqiptare kundër serbëve në stadium.

Sekretari i Federatës Serbe vlerësoi edhe tifozët e Serbisë, që sipas tij janë treguar xhentëllmenë me sjelljen. Kur në fakt, tifozët serbë u përfshinë në rrugë në sherr të dhunshëm me tifozët anglezë para ndeshjes Angli-Serbi. Kujtojmë gjithashtu se Serbia u dënua nga UEFA për sjellje antisportive të tifozëve brenda në stadium, raste të cilat Jovan Surbatoviç i konsideron të izoluara.

/tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share