EULEX-i ende po shqyrton mundësinë e ndihmës në transferimin e Pantiqit

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) tha se ende është duke e shqyrtuar mundësinë që të ndihmojë autoritetet e Kosovës për ta transferuar ish-policin Dejan Pantiq nga një stacion policor afër Jarinjës, në një qendër paraburgimi.

Megjithatë, ky mision i BE-së tha për Radion Evropa e Lirë se nuk është përgjegjës për mbajtjen në arrest të Pantiqit, i cili, sipas autoriteteve në Kosovë dyshohet për “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

EULEX tha po ashtu se një mjek i misionit, me kërkesë të një gjykatësi paraprak, ka ekzaminuar Pantiqin më 17 dhjetor.

“Raporti i këtij ekzaminimi i është dorëzuar gjykatësit të procedurës paraprake”, tha misioni i BE-së në Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi më 22 dhjetor se kanë kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë ndihmë për transferimin e Pantiqit, duke shtuar se dërgimi i tij në një qendër paraburgimi “është prioritet” për autoritetet në Kosovës.

Ai po ashtu tha se Pantiq gëzon shëndet të mirë dhe është duke marrë trajtimin e duhur mjekësor.

“EULEX po monitoron nga afër rastin e D.P, për të vlerësuar se si po trajtohet nga autoritetet në Kosovë. Përveç me Policinë e Kosovës, Zyrën e Prokurorit Special, Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, EULEX po ashtu është në kontakt me avokatin e D.P. Misioni po ashtu është takuar me Avokatin e Popullit, si mekanizëm i Kosovës për të parandaluar torturën, dhe i mandatar që të kryejë vizita të paparalajmëruara në të gjitha vendet ku privohet liria”, tha EULEX në përgjigjen dërguar REL-it.

Për shkak të arrestimit të Pantiqit më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Një ndër kushtet për largimin e barrikadave, sipas Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – është edhe lirimi i Pantiqit.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se kërkesa për lirimin e Pantiqit “është e papranueshme”.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share