Estonia thotë se ka penguar ‘operacionin hibrid’ nga Rusia

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas tha të martën se vendi i saj kishte ndaluar me sukses një operacion hibrid nga shërbimet e sigurisë ruse në territorin estonez.

“Ne e dimë se Kremlini po synon të gjitha shoqëritë tona demokratike”, tha Kallas në një postim në rrjetin social X, raportoi Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Transmetuesi publik i Estonisë (ERR) raportoi sot se Shërbimi i Sigurisë së Brendshme (ISS) ka identifikuar personat që vandalizuan makinat që i përkisnin ministrit të brendshëm dhe një gazetari vitin e kaluar.

Në kuadër të hetimit penal janë arrestuar gjithsej 10 persona. ISS beson se ata vepruan në emër të shërbimeve speciale ruse.

ISS tha të martën se qëllimi i operacionit hibrid ishte të mbillte frikë dhe të krijonte tension në shoqërinë estoneze. Gjashtë nga të arrestuarit ndodhen në paraburgim.

Provat sugjerojnë se të dyshuarit kryenin role të ndryshme duke ndjekur udhëzimet nga shërbimet speciale ruse. Për shembull, ata mblodhën informacionin e nevojshëm për të kryer sulme dhe më pas i kryen ato.

Ata u inkurajuan gjithashtu të kryenin krime, të tilla si thyerja e xhamave të makinave që i përkisnin ministrit të Brendshëm Lauri Laanemets dhe një gazetari dhe të vandalizonin monumentet.

Prokurorja e shtetit Triinu Olev tha se ky është një hetim paraprak dhe do të verifikohet përmes procedurës penale. Duke qenë se procedurat janë duke vazhduar, nuk është e mundur të jepen shumë informacione.

“Procedurat janë nisur në bazë të Kodit Penal, i cili trajton veprat kundër sigurisë së Republikës së Estonisë”, tha Olev. “Ne nuk mund të anashkalojmë peshën e veprës penale nën hetim dhe faktin se, sipas të dyshuarve, ata ishin të përgatitur të merrnin pjesë në aktivitete kundër sigurisë së Republikës së Estonisë pa menduar për pasojat”.

Ajo tha se të arrestuarit janë shtetas të Rusisë dhe Estonisë. Për më tepër, disa kanë shtetësi të dyfishtë.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Sigurisë së Brendshme (ISS) Margo Palloson tha se shumica e individëve tashmë kanë precedentë penalë. Disa janë banorë rusë të cilët janë rekrutuar në Rusi, ndërsa të tjerë janë kontaktuar përmes rrjeteve sociale.

Ai tha se është një tendencë e gjerë sot që shërbimet speciale ruse dhe kineze po i afrohen njerëzve përmes mediave sociale, ku ndër të tjera, sipas tij, në komunikimet e tyre bihej dakord edhe për pagesat që do të merrnin ata për sulme nëpër vende të caktuara.

ISS gjithashtu ka arritur të ndalojë disa sulme. “Kishte ende një plan për të sulmuar automjetet e individëve të veçantë, të cilin ne e dështuam. Kjo është një metodë e re ndikimi. Sipas vlerësimit tonë, Rusia nuk e arriti objektivin e saj”, tha Palloson.

Ai tha se shërbimet speciale ruse janë përpjekur të krijojnë tension në Estoni në shumë mënyra për vite me radhë.

Vetura e Laanemets u thye në dhjetor të vitit të kaluar.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share