I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, takon sot në Prishtinë përfaqësues të partive opozitare. Një ditë më herët, ai u prit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti.
Escobar nuk foli për media pas këtyre takimeve, por në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit u tha se ata kanë diskutuar “për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit, veçanërisht në pjesën veriore të Republikë së Kosovës”.
“U theksua se barrikadat në rrugë duhet të largohen menjëherë”, u tha në njoftimin e Kryeministrisë.
Disa serbë lokalë, që më 10 dhjetor, kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë.
Kjo, pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiç, nën dyshimet për përfshirje në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
SHBA-ja ka kërkuar largimin e barrikadave dhe çtensionimin e situatës./REL