Escobar dhe Lajçak në Mitrovicën e Veriut

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, po takojnë në Mitrovicën e Veriut kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri: Millan Radojeviq, Dragisha Milloviq, Zoran Todiq dhe Sërgjan Vulloviq.

Në takim po merr pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Escobar dhe Lajçak ndodhen në Kosovë që nga 23 gushti. Ata kanë takuar tashmë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të opozitës.

Qëllim i vizitës së tyre është thënë të jetë evitimi i përsëritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Disa serbë atje janë rebeluar dhe kanë ngritur barrikada më 31 korrik, pasi Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për riregjistrimin e makinave të tyre me targa të Kosovës, si dhe për lëshimin e dokumenteve të Kosovës për të gjithë serbët që hyjnë në Kosovë.

Pas tensionimit të situatës dhe sugjerimit të bashkësisë ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës e ka shtyrë zbatimin e vendimeve të saj për 1 shtator.

Escobar tha pas takimit me udhëheqësit institucionalë dhe të partive opozitare se pret që Kosova dhe Serbia të kenë një propozim konkret për zgjidhjen e çështjes së targave dhe të dokumenteve serbe.

Ai tha se është siguruar se askush nuk dëshiron përshkallëzim të situatës apo dhunë më 1 shtator. Lajçak e tha të njëjtën gjë.

Përfaqësuesit e serbëve nga katër komunat e veriut të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – miratuan të mërkurën një deklaratë, përmes së cilës, paralajmëruan braktisjen e mundshme të institucioneve të Kosovës, nëse nuk gjendet zgjidhje për targat dhe dokumentet për hyrje/dalje.

Ata thanë se ia kanë lënë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që “ta zgjidhë çështjen me kompromis”.

Gjithashtu të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një konferencë për media se targat KS – neutrale ndaj statusit të Kosovës – nuk mund të kthehen, ashtu siç kërkon Beogradi.

Ai përsëriti se automjetet me këto targa do të duhen të riregjistrohen në RKS – Republika e Kosovës.

Sa u përket dokumenteve për hyrje/dalje, Kurti tha se alternativa më e mirë do të ishte heqja e plotë e tyre, si për qytetarët e Kosovës kur hyjnë në Serbi, ashtu edhe për qytetarët serbë që hyjnë në Kosovë.

Escobar dhe Lajçak do të udhëtojnë sot për në Beograd, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për targa dhe dokumente, Kurti dhe Vuçiq janë takuar më 18 gusht në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por pa arritur ndonjë rezultat konkret.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share