Presidenti turk Reccep Tayyip Erdogan tha të martën se Rusia po ndërpret furnizimin me gaz natyror për Evropën, si kundërpërgjigje për sanksionet dhe shtoi se Evropa “po korr atë çfarë mbolli”.
Frika në Evropë është shtuar për mundësinë e një dimri të vështirë, pasi Rusia njoftoi se do ta mbajë të mbyllur tubacionin kryesor që furnizon me gaz Gjermaninë.
Rusia ka ndalur për një periudhë të pacaktuar kohore furnizimin nëpërmjet tubacionit Nord Stream 1 dhe ka kufizuar ose ka ndërprerë furnizimin e tre tubacioneve të saj kryesore drejt Perëndimit, që kur filloi sulmin në Ukrainë më 24 shkurt. Gjithashtu, furnizimi me karburant është devijuar drejt lindjes.
“Evropa po korr realisht çfarë mbolli”, u tha zoti Erdogan gazetarëve në Ankara të martën, duke shtuar se sanksionet e shtynë Presidentin Putin të kundërpërgjigjet duke përdorur furnizimin energjitik.
“Putini po përdor të gjitha mjetet dhe armët, dhe më i rëndësishmi nga këto është gazi natyror. Fatkeqësisht, ne nuk do ta dëshironim këtë gjë, por një situatë e tillë po zhvillohet në Evropë”, tha zoti Erdogan.
“Mendoj se Evropa do të përjetojë probleme serioze këtë dimër. Ne nuk e kemi një problem të tillë”, shtoi ai.Turqia, vend anëtar i NATO-s, është përpjekur të ruajë ballancën mes Moskës dhe Kievit duke kritikuar sulmin e Rusisë dhe duke i dërguar armë Ukrainës, ndërkohë që ka kundërshtuar sanksionet e Perëndimit dhe ka vazhduar tregtinë, turizmin dhe investimet me Rusinë.
Moska fajëson ndërprerjen e furnizimit me pjesë ndërrimi të shkaktuar nga sanksionet perëndimore, si arsye të ndaljes së furnizimit me gaz nëpërmjet tubacionit Nord Stream 1. Vendet evropiane e konsiderojnë këtë shpjegim të pakuptimtë, dhe e akuzojnë Rusinë se po e përdor si armë furnizimin me energji në kundërpërgjigje të sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Moskës për shkak të sulmit në Ukrainë./VOA