Erdogan ofron ndihmë për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë/ Kremlini mohoi se Turqia mund të shërbejë si ndërmjetës

ERDOGAN OFRON NDIHMË PËR T’I DHËNË FUND LUFTËS RUSI-UKRAINË

Presidenti turk Tajip Erdogan në një takim me Putin në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Kazakistan, deklaroi se Turqia mund të shërbejë si ndërmjetës për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë. Kremlini ka mohuar faktin se Turqia mund të çojë në arritjen e një armëpushimi .

Në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në Kazakistan, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u shpreh se Turqia mund të ndihmojë në arritjen e një armëpushimi mes Ukrainës dhe Rusisë.

Në një takim dypalësh në Astana me presidentin rus Vladimir Putin, Erdogan u shpreh se një paqe e drejtë që kënaq të dyja palët është e mundur. Por zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, përjashtoi çdo rol si ndërmjetës për liderin turk.

“Jo, nuk është e mundur,” tha Peskov, i pyetur nga një intervistues televiziv rus nëse Erdogan mund të merrte një rol të tillë. Presidenca turke bëri të ditur se të dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu luftën në Gaza dhe mënyrat për t’i dhënë fund konfliktit në Siri.

Nuk ishte e qartë pse Rusia ishte kundër pjesëmarrjes së Erdogan.Ndryshe nga liderët e tjerë të NATO-s, të cilët kanë vendosur sanksione ndaj qeverisë së Putinit, Erdogan është përpjekur të mbajë marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Ukrainën gjatë gjithë konfliktit.

Disa liderë botërorë duke përfshirë presidentin kinez Xi Jinping po marrin pjesë në ditën e dytë të samitit të sigurisë dhe mbrojtjes në Kazakistan. Putin gjatë qendrimit në Kazakistan ka zhvilluar një sërë takimesh dypalëshe, si me presidentin kinez Xi JinpIng duke riafirmuar lidhjet midis Moskës dhe Pekinit./tvklan.mk/

GAZETARE: LIVIA KALLFA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share