Erdogan: Nuk do ta mbështesim ofertën suedeze për NATO-n nëse nuk ndalohen protestat antiturke

Suedia nuk duhet ta presë dritën jeshile nga Ankaraja për kërkesën e saj për anëtarësim në NATO në samitin e aleancës perëndimore muajin e ardhshëm nëse nuk parandalon protestat kundër Turqisë në Stokholm, citohet të ketë thënë të mërkurën presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

I pari i Turqisë, derisa ishte duke u kthyer nga Azerbajxhani, deklaroi se shteti turk nuk mund të ketë qasje pozitive ndaj Suedisë për NATO-n, teksa sipas tij, “terroristët” po protestonin në Stokholm.

Erdogan foli teksa zyrtarë nga Turqia, Suedia, Finlanda dhe NATO u takuan të mërkurën në Ankara për të biseduar rreth kundërshtimeve turke për anëtarësimin e Suedisë në aleancën transatlantike.

Kryenegociatori suedez, Oscar Stenstrom ,tha se bisedimet me zyrtarët turq kishin qenë të mira dhe se diskutimet do të vazhdojnë edhe më tutje.

“Është detyra ime të bind homologun tonë se kemi bërë mjaftueshëm. Mendoj se kemi bërë,” tha Stenstrom.

“Por Turqia nuk është ende gati të marrë një vendim dhe mendojnë se duhet të ketë më shumë përgjigje për pyetjet që kanë”.

Në një deklaratë, presidenca turke tha se niveli i përparimit nga Suedia sipas një marrëveshjeje trepalëshe të rënë dakord në Madrid vitin e kaluar u diskutua në takim. Palët ranë dakord të vazhdojnë punën për “hapat konkretë të mundshëm” për anëtarësimin e Suedisë në NATO, thuhet në deklaratë, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share