Erdogan: Deri më tani janë konfirmuar 912 viktima në Turqi, 5835 të plagosur

Në një komunikim të parë për mediat pas tërmetit tragjik, presidenti turk Tayip Erdogan tha se deri më tani janë konfirmuar 912 viktima në Turqi.

“Po vijon pjesa e transportimit me ushqime, veshje e mjete në zonat e goditura nga tërmeti si masë nga autoritetet turke për të përballuar pasojat e tërmetit. Është dimër, është ftohtë, tërmeti ndodhi në orët e natës dhe në një mot aspak favorizues. Deri më tani janë konfirmuar 912 viktima në zonat e prekura të Turqi. Janë rreth 5835 të plagosur dhe 2818 godina të shkatërruara, tregues i tërmetit katastrofik. 2470 persona janë nxjerrë nga rrënojat dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore”, deklaroi presidenti turk.

Erdogan tha se do bëhet gjithçka për përballimin e kësaj situate dhe se ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë me punën minutë pas minute për nxjerrjen e të mbijetuarve nga rrënojat.

“Një pjesë e mirë kanë ndërruar jetë, janë afro 9 mijë veta në ekipet e shpëtimit. Po punohet për të nxjerrë nga rrënojat personat që kanë mbijetuar, puna vijon minutë pas minute. Në Ankara ka mbërritur grupi koordinator me drejtues zëvendëspresidentin”, tha Erdogan.

Sipas kreut të shtetit turk janë 10 qarqe të prekura nga tërmeti i magnitudës 7.8 të shkallës Rihter.

“Kjo është fatkeqësia më e madhe e vendit që nga viti 1939”, u tha Erdogan gazetarëve.

Një tërmet me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter u ka marrë jetën mëngjesin e sotëm më shumë se 500 personave në Turqi e Siri.

Presidenti turk Tayip Erdogan ka reaguar për tragjedinë përmes një postimi në Facebook ku thotë se ekipet e kërkim-shpëtimit po punojnë në këto zona dhe shpreson që kjo fatkeqësi të kalojë sa më shpejt.

“Ekipet tona të kërkim-shpëtimit janë dërguar në zonat e prekura nga tërmeti. Ministria jonë e Brendshme dhe Shëndetësia, AFAD, Guvernatorët dhe të gjitha institucionet e tjera kanë nisur punën me shpejtësi. Po bashkërendojmë edhe punimet e nisura pas tërmetit. Shpresojmë që këtë fatkeqësi që po përjetojmë ta kalojmë sa më shpejt dhe me sa më pak dëme. Ne vazhdojmë punën tonë”-shkruan presidenti turk.

Lëkundjet e forta të mëngjesit të sotëm janë ndjerë edhe në Qipro, Gaza dhe Liban. Autoritetet turke shpallën “alarmin e nivelit 4” që kërkon ndihmë ndërkombëtare dhe SHBA shprehën të parat gatishmërinë për të ndihmuar./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share