Përveç pasqyrimit të gjerë në mediat prestigjoze, turizmi në vendin tonë konsiderohet edhe nga kompanitë e njohura të konsulencës që i bëjnë jehonë bregdetit. “Emerging Europe” thotë se zhvillimi i turizmit në Shqipëri, është dhe falë futjes së linjave të reja ajrore.
“5 perlat më pak të njohura të Shqipërisë”, është titulli I artikullit të kësaj kompanie. Këto plazhe ofrojnë bregdetin e kristaltë të ndërthyr me natyrën dhe janë ideale për t’iu shpëtuar destinacioneve të mbipopulluara. Plazhi i Gjipesë është një parajsë e vërtetë për adhuruesit e natyrës. Ky plazh i izoluar mund të arrihet vetëm me varkë ose përmes një shëtitjeje piktoreske. Ujërat kristal të detit Jon dhe peizazhi mahnitës është destinacioni ideal për turistët e huaj.
Një tjetër perlë e bregdetit shqiptar është dhe plazhi i Ksamilit. Ndryshe nga i Gjipesë, Ksamili nuk është më një plazh i panjohur për pushuesit e huaj.
Me rërën e bardhë si pluhur dhe ujërat esmerald të kristaltë, bukuria e Ksamilit ka tërhequr prej kohësh mjaft vizitorë. Katër ishujt e vegjël mund të arrihen në vetëm pak minuta nga notarë të mirë, ndërsa për ata që nuk e pëlqejnë notin, mund të shkojnë me varka që merren me qira.
Për ata që duan vetminë, sugjerohet plazhi i Gjirit të Akuariumit në Himarë që ofron një eksperiencë ndryshe. I njohur për qetësinë dhe mjedisin natyror të paprekur, Gjiri i Akuariumit është perfekt për ata që kërkojnë vetminë.
Plazhi i Jalës përveç pyjeve të dendura dhe kodrave piktoreske ka shumë për të ofruar thotë “Emerging Europe ”. Turistët mund të vizitojnë Kalanë e Himarës për t’u njohur më shumë me historinë e pasur të rajonit. E së fundmi për ata vizitorë që dëshirojnë të çlodhen dhe të kënaqen me aktivitete të ndryshme ujore, plazhi i Palasës është zgjidhja.
Vizitorët mund të shkojnë edhe në Parkun Kombëtar të Llogarasë që ofron një pamje të rrallë panoramike. Në këtë park shtohet ndjeshëm vit pas viti numri i turistëve që e vizitojnë.
Ministria e Turizmit pret që më shumë se 10 milionë njerëz të vizitojnë vendin këtë vit, nga 7.5 milionë që ishte në 2022.
Klan News