Ekspertët kundër dërgimit të FSK-së në veri

“Thirrjet, të papërgjegjshme dhe anti-kushtetuese”

Thirrjet nga eksponentë të mazhorancës qeverisëse në Kosovë për dërgimin e Forcave të Sigurisë në veri, ekspertët i konsiderojnë të papërgjegjshme dhe anti-kushtetuese. Sipas ish-anëtarit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani i konsideron thirrje të tilla histerike dhe emocionale që mund të dëmtojnë sigurinë kombëtare.

“Thirrjet publike për dërgimin e KFOR-it në shtëpi dhe vendosjen e FSK-së në veri të Kosovës, më së paku mund t’i quaj thirrje joprofesionale, joserioze dhe të papërgjegjshme. Ajo që është tepër e rëndësishme është që secili zyrtar duhet ta lexojnë nenin 53 të Kushtetutës i cili e përcakton fuqinë dhe rolin që e ka prezenca ndërkombëtare ushtarake”

Ndërsa njohësi tjetër i fushës së sigurisë Drizan Shala, thotë se FSK nuk ka mandat të shkojë në veri.

“Assesi FSK-ja nuk mund të ndërhyjë në pjesën veriore pa u konsultuar paraprakisht për misionin me komandantin e KFOR-it. Unë mendoj që deputetët e mazhorancës nuk e kanë kuptuar dhe nuk e kuptojnë fare fuqinë dhe kapacitetet e FSK-së, pra në këtë aspekt FSK-ja nuk është ende e përgatitur për të dalë në pjesën veriore”

Ditët e fundit në Kosovë eksponentë të shumicës qeverisëse kanë bërë thirrje që forcat e Sigurisë së Kosovës të dërgohen në veri për të vendosur rendin dhe për të garantuar territorin e vendit. Pak ditë më parë një garnizon i FSK-së marshoi në Mitrovicën e Jugut dhe kjo solli reagimin e ashpër të Brukselit dhe Beogradit.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share