Ekspertët e OKB-së: Zvicra ka probleme “sistematike” me racizmin

Zvicra ka probleme sistematike me racizmin kundër personave me prejardhje afrikane, thuhet në një raport të prezantuar më 3 tetor nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara. Raporti përfshin shumë shembuj, nisur nga brutaliteti policor e deri te lojërat e fëmijëve.

Grupi i emëruar nga OKB-ja tha se ka edhe masa pozitive që Zvicra ka ndërmarrë, por shprehu shqetësimin për përhapjen e diskriminimit racor, duke theksuar disa incidente, pasi anëtarët e grupit vizituan Zvicrën gjatë këtij viti.

“Përhapja dhe mosndëshkimi [i diskriminimit në baza racore] tregon se ekziston një problem sistematik”, u tha në raport.

Ambasadori i Zvicrës në OKB gjerësisht pranoi gjetjet e raportit, përmes komenteve që i dorëzoi në Këshill, edhe pse tha se ekspertët kishin përdorur “numër të kufizuar të shembujve” për të ardhur në këto përfundime.

Në raport u tha se ka përpjekje për të rritur vetëdijen e publikut lidhur me aspektet e historisë zvicerane, sikurse një peticion dhe debat i bërë lidhur me heqjen e një statuje të një bankieri që kishte krijuar pasuri duke shfrytëzuar skllevërit afrikanë, në kantonin e Noshetelit.

Ekspertët e OKB-së thanë se fëmijët zviceranë ende luajnë lojëra sikurse “kush frikësohet nga njeriu me ngjyrë”, që sipas tyre, lojëra të tilla kanë efekte diskriminuese në aspektin racor.

Në raport po ashtu u përmend brutaliteti “shokues” i policisë, duke theksuar se në kantonin e Vaudit kishin vdekur disa persona me ngjyrë.

“Zvicra pajtohet me vëzhgimin tuaj se racizmi dhe diskriminimi racor – përfshirë edhe kundër personave me prejardhje afrikane – janë probleme që duhet të trajtohen në mënyrë urgjente”, tha ambasadori zviceran në OKB, Jurg Lauber.

Ai para Këshillit për të Drejtat e Njeriut theksoi se po zbatohen masa të reja për të trajtuar çështjen e racizmit, përfshirë edhe krijimin e qendrave për konsultime për viktimat e diskriminimit racor, por edhe përmirësimin e programeve trajnuese të policëve./REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share