Udhëheqësit e grushtit të shtetit janë zotuar se do të vrasin presidentin e rrëzuar Mohamend Bazoum nëse vendet fqinje ndërhyjnë
Udhëheqësit e Afrikës Perëndimore shtuan retorikën kundër udhëheqësve të grushtit të shtetit të Nigerit, duke urdhëruar “aktivizimin” dhe “vendosjen” e një force rajonale gatishmërie për të rivendosur rendin kushtetues pas grushtit te shtetit.
Vendimi erdhi pas takimit në Abuja, pas skadimit të ultimatumit njëjavor që i dhanë juntës ushtarake të Nigerit. Nuk është ende e qartë se çfarë do të përfshijë “vendosja” dhe “aktivizimi” i forcës si edhe koha se kur ajo do të jetë e pranishme në Niger. Deklarata thekson gjithashtu vendosmërine për zgjidhjen paqësore të krizës.
Nga ana tjetër udhëheqësit e grushtit të shtetit kanë deklaruar se do të vrasin presidentin e rrëzuar Mohamend Bazoum nëse ndërhyjnë vendet fqinje. Bazoum, i cili u rrëzua më 26 Korrik, po mbahet peng në rezidencën e tij. Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin se ai dhe familja e tij kanë shumë pak ushqim dhe ujë.
Disa analistë thonë se një ndërhyrje ushtarake me mbështetjen e Francës dhe SHBA-së në Niger ndoshta do të ishte e pashmangshme, por kërkon kohë për të mbledhur trupat ECOWAS.
Nigeri është përfshirë nga kaos politik që nga fundi i muajit të kaluar. ECOWAS u përgjigj duke miratuar sanksione dhe duke i dhënë një ultimatum juntës ushtarake në pushtet, që të largohen brenda një jave ose të përballen me një ndërhyrje të mundshme ushtarake.
Klan News