Dy javë nga sulmi i Hamasit në Izrael

Sot bëhen dy javë që kur Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë më shumë se 1400 persona dhe duke marrë peng rreth 200 të tjerë. Izraeli është kundërpërgjigjur me sulme ajrore.

Zyrtarët palestinezë kanë njoftuar se më shumë se 4 mijë persona janë vrarë në Gaza që nga 7 Tetori. E kështu edhe Rripi i Gazës mbetet nën bllokadë të plotë. Izraeli ka ndërprerë çdo furnizim thelbësor.

Liderët botërorë kanë bërë thirrje që të hapet pika e kalimit nga Rafahu, në mënyrë që të hyjë ndihma e nevojshme nga Egjipti. Kamionët me ndihma janë duke pritur në kufi të cilat sipas shefit të OKBE-së, Antonio Guterres “janë vija mes vdekjes dhe jetës.

Ndërkohë, Hamasi ka liruar dy gra amerikane që kanë rritur shpresat se të tjerë pengje mund të lirohen. Judith dhe Natalie Raanan u rrëmbyen gjatë sulmit në Izrael. Ato u dorëzuan të premten në një bazë ushtarake. Me dy gratë e liruara komunikoi Presidenti amerikan Joe Biden. Ky i fundit tha se ishte i gëzuar që nënë e bijë më në fund mund të ribashkoheshin me familjen e tyre.

Siç shkruan BBC që nga momenti që nisi kjo krizë është një aktor kyç që mund të ndërhyjë si negociator dhe bëhet fjalë për Katarin. Atje ndodhet zyra politike e Hamasit, por edhe një bazë ajrore e SHBA-së. Gjashtë ditë pasi Hamasi hyri në jug të Izraelit, Sekretari Antony Blinken takoi emirin e Katarit dhe diskutuan për lirimin e penggjeve që mbahen në Gaza.

Katari ofroi të përdorte influencën e saj me Hamasin për të ndihmuar në sigurimin e tyre. I pyetur se çfarë mori në këmbim Hamasi për lirimin e pengjeve, një zyrtar i Katarit u shpreh: Asgjë, ishte gjest i vullnetit të mirë.

Ndërkohë të paktën 22 gazetarë janë vrarë pas nisjes së konfliktit. Bëhet fjalë për 18 palestinezë, 3 izraelitë dhe 1 libanez. 15 prej viktimave janë shkaktuar nga sulmet ajrore të Izraelit, ndërsa 2 prej tyre nga sulmet në jug të Izraelit nga Hamasi.

8 gazetarë të tjerë janë plagosur, ndërsa 3 janë zhdukur ose janë arrestuar sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Të premten në vendet arabe dhe jo vetëm pati protesta të shumta për t’i dhënë fund bombardimeve në Gaza nga Izraeli./tvklan.al

 


Lexo gjithashtu
Total
0
Share