Dy hetime, por dyshimet për rrëzimin e aeroplanit të presidentit Trajkovski vazhdojnë

19 vite nga vdekja e Boris Trajkovskit

Ditën e sotme para 19 vitesh në fatkeqësinë ajrore humbi jetën Presidenti i dytë i Maqedonisë së Veriut, Boris Trajkovski. Aeroplani i Qeverisë u rrëzua para uljes, në afërsi të Mostarit, në Bosnje e Hercegovinë, ndërsa dy hetimet që u kryen për rrëzimin e tij vunë në dukje gabime të sistemit dhe të pilotit. Trajkovski konsiderohej si person që pajtonte shoqërinë, ndërsa cilësitë e tij të lidershipit u theksuan posaçërisht në periudhën e krizës së refugjatëve në Kosovë.

Fluturimi drejt Mostarit, ku duhej të merrte pjesë në konferencë ndërkombëtare, ishte i fundit për ishpresidentin e Maqedonisë së Veriut, Boris Trajkovski dhe delegacionin tetëanëtarësh. Të dyja hetimet për rënien e aeroplanit vunë në dukje gabim të pilotëve dhe mangësi të sistemit, megjithatë në opinion kanë mbetur dyshimet për rrethanat në të cilat humbi jetën Presidenti 47 vjeçar. Sot, delegacioni qeveritar dhe i Kuvendit vendosën lule në varrin e tj në Butell në Shkup, para përmendores në Strumicë, por edhe në vendin e fatkeqësisë ajrore në Bosnje.

“Qeveria është e përcaktuar për politika progresive që i shpiejnë qytetarët dhe shtetin përpara, siç ishte edhe vizioni i Presidentit të ndjerë Boris Trajkovski. Përcaktimet për shoqëri të përbashkët, në të cilën qytetarët jetojnë dhe punojnë së bashku, pavarësisht dallimeve etnike, fetare dhe të tjera, në paqe dhe në shtet të respektuar ndërkombëtarisht, e integruar në familjet demokratike të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, janë shembull për lidership të guximshëm dhe të mençur, të bazuar në vlera”, thonë nga Qeveria e RMV-së.

Boris Trajkovski qëndroi në krye të shtetit më shumë se 4 vite, kandidat nga rradhët e VMRO-DPMNE-së, i zgjedhur në vitin 1999, politikan i arsimuar në fushën e së drejtës dhe teologjisë, i cili arriti të imponohet si figurë pajtimi në shoqërinë e ndarë. Lidershipin e tij e ndërtoi në periudhën e krizës së refugjatëve në Kosovë, në fund të viteve të 90-ta, por edhe gjatë konfliktit në vend në vitin 2001. Trajkovski konsiderohej politikan i moderuar me angazhime për dialog ndëretnik, është njëri nga nënshkruesit e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit me të cilën u parandalua eskalimi i përplasjes së armatosur në mes forcave maqedonase të sigurisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Shqiptarëve në vitin 2001./KlanMacedonia

Përgatiti: Biljana Georgievska

Lexo gjithashtu
Total
0
Share