DY DEKADA NË FUTBOLL
Në ndeshjen e parafundit të kampionatit në Ligën e Dytë, kapiteni i Besës së Dobërdollit të Gostivarit, 39 vjeçari Izair Emini, pas plot dy dekadave i tha lamtumirë futbollit aktiv. Jozyrtarisht Izair Emini do të mbetet pjesë e KF Besa por enuk dihet pozita që do t`i besohet?
Dy dekada në terrene të ndryshme futbolli. 4 tituj kampionatesh të fituara, 2 me Shkëndinë e Tetovës, 1 me Kukësin dhe 1 me Dritën e Gjilanit, një Kupë dhe një Superkupë me Shkëndijë, por edhe dy tituj në Ligën e Dytë, është bilanci i karrierës së futbollistit Izair Emini.
Duket se “qershia mbi tortë” në këtë karrierë të bujshme, erdhi me kualifikimin e Besës së Dobërdollit në Ligën e Parë të futbollit në RMV.
Izair Emini i tha lamtumirë futbollit aktiv në moshën 39-vjeçare. Thotë se ishte koha e duhur për ta marrë këtë vendim.
“Po është e vërtetë se kjo është ndeshja ime e fundit si futbollist aktiv dhe normalisht është një ndjenjë, që s’di as vet si ta përshkruaj me një fjalë, e çuditshme. Mirëpo, unë e kam ditur se një ditë do vijë fundi dhe ky është momenti i fundit tim. Mendoj se kam kaluar shumë sfida dhe shumë ndeshje. Mund të them, mbi dy dekada apo mbi 20 vjet jam në skenën futbollistike. Dhe, normalisht se ky është fundi dhe mendoj se ishte koha dhe momenti i duhur për t`i dhënë fund futbollit aktiv”, tha Emini.
I dha fund futbollit aktiv, por jo edhe futbollit në përgjithësi. Drejtuesit e Besës së Dobërdollit, me siguri nuk e kanë harruar kontributin e tij në suksesin historik. Flitet se do të mbetet pjesë e KF Besa, por ende nuk dihet se në cfarë pozite dhe funksioni.
“Nuk e di, kjo është pyetje që duhet t`i bëhet pronarit tonë ose familjes Tairi, sepse ata investojnë në këtë klub. Kam pasur disa biseda me drejtuesit, mirëpo do ja lëmë kohës dhe do shohim se çfarë do thonë, do ketë bashkëpunim ose diçka tjetër, do të shohim. T’ia lëmë kohës dhe të shohim a do jetë Iza aktiv apo të shohim”, tha Emini.
Izair Emini në karirrën e tij si futbollist aktiv ka zvilluar afro 360 ndeshje zyrtare, duke qenë pjesë e Shkëndijës, Renovës, Dritës së Gjilanit, Kukësit, si dhe në Voska Sport dhe Besa të Dobërdollit. Pas emrit të tij qëndrojnë edhe 149 gola të shënuara./tvklan.mk/