Një avion luftarak rus Su-27 goditi të martën helikën e një droni vëzhgimi ushtarak amerikan “Reaper”. Si pasojë, forcat amerikane u detyruan ta rrëzojnë mjetin ajror pa pilot në ujërat ndërkombëtare të Detit të Zi.
Ushtria amerikane e cilësoi si “të papërgjegjshëm” incidentin që nxjerr edhe një herë në pah tensionet në rritje SHBA-Rusi lidhur me luftën e Moskës në Ukrainë.
“Avioni ynë MQ-9 po kryente operacione rutinë në hapësirën ajrore ndërkombëtare kur u godit nga një avion rus, duke rezultuar në rrëzimin dhe humbje të MQ-9-ës,” tha në një deklaratë gjenerali i Forcës Ajrore të Shteteve të Bashkuara, James Hecker.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby tha se presidenti Joe Biden ishte informuar për incidentin nga këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan. Kirby tha se goditja ishte “e rrezikshme dhe joprofesionale” dhe rrëzimi i tillë i një avioni amerikan “është diçka e pashembullt”.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se Shtetet e Bashkuara kanë thirrur të martën pasdite ambasadorin e Rusisë në Uashington, lidhur me incidentin. Ambasadori amerikan në Moskë i ka përcjellë një mesazh të fortë Ministrisë së Jashtme të Rusisë dhe zyrtarët amerikanë kanë informuar aleatët dhe partnerët për incidentin, u tha Price gazetarëve në një konferencë telefonike për median.
Komanda e Shteteve të Bashkuara në Evropë tha në një deklaratë nga Shtutgarti i Gjermanisë se Su-27 derdhi karburant dhe fluturoi disa herë përpara dronit amerikan MQ-9 përpara përplasjes “të papërgjegjshme, të pasigurt për mjedisin dhe joprofesionale”.
Nuk ka patur ende ndonjë reagim nga Moska, e cila ka shprehur vazhdimisht shqetësime për fluturimet e zbulimit amerikan pranë Gadishullit të Krimesë, të cilën Rusia e aneksoi ilegalisht nga Ukraina në 2014./VOA