Dronët ukrainas arrijnë Moskën, Putin nuk përjashton bisedimet e paqes me Ukrainën

Moska u zgjua nën sulmin e dronëve ukrainas të dielën. Pamjet e shpërndara në mediat sociale shfaqin shpërthimin e madh që ndodhi në një ndërtesë të lartë në qendër vetëm 2.8 kilometra larg Kremlinit.

Mediat ruse dhanë lajme kontradiktore. Fillimisht thanë se dronët u neutralizuan nga ushtria ruse, ndërsa më vonë kur në mediat sociale u shpërndanë video thanë se një person u plagos.

Agjencia e lajmeve TASS duke cituar shërbimet e urgjencës, tha se “një roje sigurie u plagos në një ndërtesë si pasojë e shpërthimit. Xhamet nga kati i parë deri në katin e katërt u thyen si rezultat i shpërthimit,” tha burimi.

Sulmi në Moskë vjen pak orë pas një konference të jashtëzakonshme të presidentit Vladimir Putin i cili u tha gazetarëve se nuk e kundërshton idenë e bisedimeve të paqes për Ukrainën. Duke folur pas takimit me liderët afrikanë në Shën Petersburg, kreu rus tha se një nismë paqeje e vendeve afrikane si dhe ajo kineze mund të shërbejë si bazë për këtë.

Presidenti Putin tha gjithashtu se tani është e vështirë të zbatohet një armëpushim pasi ushtria ukrainase është në ofensivë.

Pavarësisht përparimeve ukrainase në front dhe thyerjes së linjës së parë mbrojtëse, Putini tha në konferencën për shtyp se nuk ka plane për të intensifikuar veprimet në front.

Ai mbrojti gjithashtu arrestimin e zërave kritikë ndaj Kremlinit, duke pretenduar se disa njerëz po dëmtojnë Rusinë nga brenda. Në konferencën e gjerë, presidenti rus u tha gazetarëve se Moska kreu disa “sulme parandaluese” pas shpërthimit në urën e Krimesë në fillim të këtij muaji.

Pas incidentit të urës, i cili la dy persona të vdekur, Putin u zotua të përgjigjet ndaj asaj që ai pretendoi se ishte një akt “terrorist” nga Ukraina.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share