Drejtuesit e FFM-së në Kongresin e UEFA-s, votuan për një mandat të ri të Aleksandar Ceferinit

Në Lisbonë po mbahet Kongresi i 47-të i UEFA-s, ku po merr pjesë edhe një delegacion tre anëtarësh i Federatës së Futbollit të Maqedonisë.

Kryetari i FFM-së, Muamed Sejdini dhe nënkryetari, Lazar Rakixhiev, së bashku me sekretarin e përgjithshëm, Filip Popovski, votuan pro Aleksandar Ceferinit për mandat të ri katërvjeçar në krye të UEFA-së.

Zgjedhja e Aleksandar Ceferin si President i UEFA-s për një mandat deri në vitin 2027 është vetëm një nga pikat e agjendës së Kongresit të 47-të të UEFA-s. Delegatët miratuan Raportin e Presidentit dhe Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për periudhën 2021/22 si dhe raportet financiare për të njëjtën periudhë.

Në fjalën e tij pas marrjes së votëbesimit, Ceferin, i cili ishte kandidati i vetëm, falënderoi delegatët për mbështetjen e dhënë. “Ky është një nder i madh, por në të njëjtën kohë është një përgjegjësi e madhe ndaj futbollit”, tha presidenti i UEFA-s. “Do të bëj çmos për të mos ju zhgënjyer”.

“Futbolli nuk i përket askujt, përkundrazi i përket të gjithëve: lojtarëve, trajnerëve, gjyqtarëve, mbështetësve dhe vullnetarëve. “Ne nuk duhet të harrojmë kurrë se ne kemi për detyrë të sigurojmë që interesat e futbollit të mbizotërojnë mbi interesat private të disa individëve të privilegjuar,” potencoi Ceferin.

“Ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku dhe jo vetëm në kohë krize, sepse ushtrimi i pavarur i pushtetit ka rezultuar se sjell vetëm zhgënjime. Kjo është arsyeja pse UEFA ndryshoi qasjen e saj. Klubet dhe ligat përfaqësohen në Komitetin tonë Ekzekutiv. Nuk duhet të harrojmë kurrë se futbolli është një sport gjithëpërfshirës, ​​i hapur për të gjithë. Futbolli ka ekzistuar para se të vinim ne dhe do të ekzistojë kur të ikim. Por ndërkohë, për sa kohë që ne mbetemi përgjegjës për të, ne duhet të bëjmë çmos për ta mbrojtur atë. Për të mbrojtur lojtarët. Le ta mbrojmë lojën”, përfundoi Ceferin në fjalimin e tij drejtuar delegatëve të pranishëm në Kongresin në Lisbonë.

Në Kongresin e 47-të në kryeqytetin e Portugalisë, drejtuesit e FFM-së, të udhëhequr nga presidenti Sejdini, patën një sërë takimesh të ndara me përfaqësues të lartë të UEFA-s dhe takime bilaterale me përfaqësues të shoqatave të tjera kombëtare./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share